
Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të shtunë një takim elektoral me qytetarët e Shkodrës, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, ku mbrojti bilancin e tre mandateve të qeverisë së tij dhe kritikoi perceptimin negativ që, sipas tij, i është dhënë progresit të vendit.
“Nuk është populli problemi, por mungesa e informacionit për ato që janë bërë”, tha Rama në fjalën e tij, duke theksuar se ndryshimet e ndjeshme në infrastrukturë dhe ekonominë e vendit nuk po komunikohen siç duhet.
Ai rrëfeu se nisma për të bërë një prezantim të përgjegjshëm të punëve të kryera i ka lindur pas një mbrëmjeje kur ishte përballur me sondazhet e publikuara nga PD që sipas tij, deformonin realitetin.
“Thonë njerëzit po vdesin për bukë e nuk kanë ujë, nuk janë rritur pagat, por njerëzit e dinë ndryshimin. Ka një ndryshim të ndjeshëm në jetën e përditshme që nuk mund të mohohet”, deklaroi Rama.
Ai vuri në dukje faktin se ndërtimet e rrugëve rurale gjatë dekadës së fundit kanë kapërcyer ato të të gjitha viteve të mëparshme të marra së bashku.
Duke iu referuar procesit të integrimit evropian, Rama u shpreh se “nëse nuk do të ishin bërë këto punë, nuk do të ishim në dyert e BE-së, sepse për negociatat BE nuk merret me politikë fare”, duke nënkuptuar se përparimi i Shqipërisë në këtë drejtim është rezultat i reformave konkrete, e jo i ndikimeve politike.
Kreu i qeverisë ka theksuar se është pikërisht ky perceptim i mangët i punëve të bëra që ka nevojë të përmirësohet përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët në këtë fushatë.