
Philip Griffin, këshilltari kryesor i strategut amerikan Chris LaCivita për fushatën e Partisë Demokratike në Shqipëri, mori pjesë në një miting elektoral në Tropojë, ku mbajti një fjalim në mbështetje të Sali Berishës dhe kauzës së opozitës.
Griffin, i cili ka mbi 20 vite përvojë në politikën amerikane, u shpreh se nuk kishte parë ndonjëherë një politikan që të punonte më shumë se Sali Berisha, duke e konsideruar atë një figurë të palodhur në luftën për ndryshim.
“Jam në politikë prej 20 vitesh. Nuk kam njohur asnjë politikan që ka punuar më shumë se Dr. Berisha,” deklaroi ai, duke i bërë thirrje mbështetësve që të angazhohen maksimalisht për zgjedhjet e 11 majit.
Griffin solli në vëmendje edhe zhvillimet politike në SHBA, duke bërë një paralelizëm mes situatës së ish-presidentit Donald Trump dhe asaj të Berishës.
“Në Amerikë, socialistët u përpoqën të shkatërronin Donald Trump-in duke përdorur sistemin ligjor. Por Trump dhe populli amerikan nuk e lejuan. Edhe këtu, socialistët po përpiqen të përdorin të njëjtat marifete. Nuk do të kenë sukses,” u shpreh ai.
Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq historik dhe se kjo është koha për t’i rikthyer vendin politikanëve të ndershëm, ndërsa akuzoi qeverinë për korrupsion dhe lidhje me trafikantë droge.
“Dr. Berisha nuk do të ndalet së luftuari për ju, për ta shpëtuar Shqipërinë nga politikanët e korruptuar dhe trafikantët e drogës. Por ai nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Ju duhet të bëni pjesën tuaj. Flisni me miqtë, fqinjët, familjen, bëni që të gjithë të dalin dhe të votojnë.”
Në fund të fjalës së tij, Griffin bëri një thirrje entuziaste për mobilizim dhe bashkim:
“A do ta bëjmë historinë së bashku? Përgjigjja ime është: Po, ne do të bëjmë histori. Fitore, fitore, fitore!”