
Në mesditën e sotme, më 3 maj 2025, janë regjistruar të shtëna me armë zjarri në qytetin e Laçit, në rrugën që çon drejt Kishës së Laçit.
Si pasojë e konfliktit të armatosur, disa persona kanë mbetur të plagosur, përfshirë një shitëse ambulante që ndodhej në trotuar. Ajo është qëlluar gjatë incidentit dhe është ndihmuar nga kalimtarët derisa ka mbërritur ambulanca.
Forcat e policisë janë dërguar në vendngjarje për të hetuar rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët.
Ndërkohë, të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.
Hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e autorëve të mundshëm.
“Rreth orës 13.30, pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit midis disa personave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit L. I., A. Gj., G. N., A. N, dhe D.Gj, të cilët janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin ngjarjes, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave dhe në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plote të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, si dhe për kapjen e shtetasit që qëlloi me armë gjatë konfliktit të çastit, i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për kapjen e tij”, njoftoi policia.