Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Në Shqipërinë e 2030 do të kemi një aeroport turistik në Gjirokastër


Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në dekadën e ardhshme, konkretisht në kuadër të vizionit për “Shqipërinë 2030”, do të ndërtohet një aeroport i ri turistik në Gjirokastër. Sipas tij, ky aeroport do të jetë sezonal dhe i destinuar për të përforcuar turizmin në jug të vendit.

Gjatë një deklarate publike, Rama u shpreh se vendndodhja ekzistuese e aeroportit, e cila aktualisht përdoret për aktivitete sportive dhe fluturime të vogla, është konsideruar nga ekspertët ndërkombëtarë si pika më e përshtatshme për një aeroport turistik që lidh Gjirokastrën me bregdetin.

“Projekti është gati. Do të jetë një aeroport i vogël, por me potencial të madh turistik, që do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të zonës, përmes turizmit, agroturizmit dhe përpunimit bujqësor”, tha Rama, duke theksuar se infrastruktura ajrore do të jetë një nga shtyllat e zhvillimit për jugun e vendit.

Ai nënvizoi se ndryshe nga aeroporti i Vlorës, ky do të jetë një aeroport sezonal, por me ndikim të qëndrueshëm në ekonominë lokale, veçanërisht për zonat e thella malore që pritet të përfitojnë nga rritja e aksesit dhe interesit turistik.