Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Dyfish mbështetje për nënat e fëmijëve autikë dhe me aftësi të veçanta në buxhetin e ardhshëm


Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se mbështetja për nënat e fëmijëve autikë dhe atyre me aftësi të veçanta do të dyfishohet në buxhetin e vitit të ardhshëm, si pjesë e programeve të reja për mbrojtjen sociale.

“Për të gjithë fëmijët autikë, ose me aftësi të tjera të veçanta, ne do të dyfishojmë që në buxhetin e vitit të ardhshëm mbështetjen për nënat e tyre,” u shpreh Rama gjatë një deklarate publike.

Kreu i qeverisë bëri gjithashtu me dije se aktualisht janë 9,200 nëna të papuna me tre ose më shumë fëmijë, të cilat mbështeten nga shteti përmes pagesës së sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore.

“Prej disa vitesh japim 25 milionë euro për të mbështetur këto nëna, në mënyrë që kur të arrijnë moshën e pensionit, të mos mbeten pa përfitime, por të marrin një pension dinjitoz,” theksoi Rama.

Ky premtim vjen në kuadër të angazhimeve të qeverisë për të forcuar mbështetjen sociale për shtresat më në nevojë dhe për të garantuar një sistem më të drejtë dhe gjithëpërfshirës.