
Kardiologu dhe kreu i Administratës së Shëndetit Ushtarak, Dragan Dinçiç, tha në një fjalim për mediat se gjendja shëndetësore e Presidentit Aleksandar Vuçiç është e qëndrueshme.
Prof. Dr. Dragan Dinçiç kardiolog dhe kreu i Administratës së Shëndetit Ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes, tha në një fjalim për mediat se në më shumë se dhjetë vitet e fundit, presidenti kishte pasur probleme të ngjashme në tre raste dhe se ato lidheshin kryesisht me presionin jashtëzakonisht të lartë të gjakut.
“Nuk mund të diskutoj detajet, por gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, presidenti ndjeu një dhimbje në gjoks që ishte e fortë, zgjati për një kohë të shkurtër, vetëm disa sekonda sipas tij, gjë që nuk përputhet plotësisht me fjalët e të pranishmëve në dhomë të cilët deklarojnë se dhimbja zgjati disi më gjatë”, tha Dinçiç.
Presidenti, shtoi Dinçiç, mori terapinë e tij shtesë, e cila ishte mjaft intensive, dhe pas 45 minutash, kur mbërriti një ekip mjekësh nga Amerika, vlerat e matura të presionit të gjakut ishin 165 me 98 milimetra të zhivës, gjë që tregon qartë se presioni i gjakut para terapisë ishte dukshëm më i lartë se sa ishte në kohën e matjes
“Mjekët, sigurisht nga Amerika, kryen me shumë korrektësi të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe presidenti, në kundërshtim me sugjerimin e tyre, mori vendimin për t’u kthyer në vend”, shton mjeku./RTS