
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Flamur Noka, ka bërë thirrje për mobilizim të strukturave të Partisë Demokratike për të qenë të pranishëm të hënën, në orën 08:30, përpara zyrave të SPAK, në mbështetje të Sali Berishës, i cili do të paraqitet sipas masës së vendosur nga Apeli i GJKKO-së.
Në një mesazh të shpërndarë, Noka kërkon pjesëmarrje të organizuar dhe paqësore nga të gjitha degët e partisë, duke e cilësuar këtë si një moment solidariteti për kryetarin e PD-së.
Mesazhi i Flamur Nokës:
“Të dashur miq ditën e hënë në ora 8:30 kryetari i PD-së Sali Berisha do të jetë në dyert e SKAP-it. Ju lutem të mobilizojmë strukturat e degëve për të qënë të gjithë aty. Ora 8:30 përpara selisë së SKAP-it. Faleminderit”
Kujtojmë se Berisha është marrë i pandehur nga SPAK për korrupsion pasiv në një çështje që po shqyrtohet në gjykatë, ndërsa i pandehur për të njëjtën akuzë është edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Ai duhet të paraqitet çdo të hënë të parë dhe të tretë të muajit në SPAK, përpara oficeres së policisë gjyqësore, Adelajda Metaj.