Vendosni fjalën kyçe....

Trump paralajmëron heqjen e statusit të përjashtimit nga taksat për Harvardin


Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi të premten se do të heqë statusin e përjashtimit nga taksat për Universitetin e Harvardit, në kuadër të një ofensive më të gjerë kundër universiteteve elitare amerikane.

“Do t’i heqim Harvardit statusin e tij të përjashtimit nga taksat. E meritojnë!”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, pa dhënë një afat konkret se kur mund të ndërmarrë këtë veprim, përcjell Reuters.

Nga ana e saj, Harvard nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar ndaj deklaratës së presidentit.

Që nga marrja e detyrës në janar, Trump ka ndërmarrë një fushatë të ashpër ndaj universiteteve kryesore të SHBA-ve, duke ngrirë fondet federale, nisur hetime, anuluar viza për studentët dhe duke bërë kërkesa të tjera, me pretendimin se arsimi i lartë amerikan është kapur nga ideologji antisemitike, anti-amerikane, marksiste dhe të “radikalit të majtë”.

Universiteti i Harvardit ka reaguar në mënyrë të ashpër ndaj këtyre veprimeve të administratës, duke ngritur padi për ndalimin e financimeve për kërkimin shkencor dhe duke iu bashkuar më shumë se 200 drejtuesve të universiteteve dhe kolegjeve në protestë ndaj politikave të reja për arsimin e lartë.

Kjo përballje shënon një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes administratës Trump dhe institucioneve arsimore prestigjioze në SHBA.