Vendosni fjalën kyçe....

Trump ndërpret fondet për PBS dhe NPR


Presidenti Donald Trump nënshkroi të enjten një urdhër ekzekutiv që synon të ndërpresë subvencionet federale për rrjetet publike PBS dhe NPR, duke i akuzuar ato për paragjykim në raportim dhe përhapje të “propagandës radikale”.

Urdhri u kërkon agjencive federale dhe Korporatës për Transmetimet Publike (CPB) të ndalojnë çdo formë financimi direkt apo indirekt ndaj këtyre transmetuesve. Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, mediat publike “marrin miliona dollarë nga taksapaguesit për të maskuar propagandën si lajme”.

Ky veprim është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të administratës Trump për të kufizuar institucionet publike që kanë pikëpamje të ndryshme nga ajo e tij. Prej ardhjes në pushtet, Trump ka ndërprerë fonde për institucione kulturore dhe arsimore si Qendra Kennedy dhe Fondacioni Kombëtar për Shkencat Humane, ndërsa ka synuar gjithashtu ndalimin e financimeve për universitetet që mbështesin programe diversiteti.

PBS dhe NPR marrin rreth 500 milionë dollarë në vit nga fondet publike, kryesisht përmes CPB-së. Përfaqësues të mediave publike kanë paralajmëruar se ndërprerja e financimit do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit ndaj publikut.

“Nuk ka asgjë më amerikane se PBS. Mbështetja dypartiake na ka lejuar të përgatisim miliona fëmijë për sukses,” deklaroi Paula Kerger, presidente e PBS-së.

Në një zhvillim paralel, CPB-ja ka paditur administratën Trump për shkarkimin e tre nga pesë anëtarët e bordit të saj, duke argumentuar se ky veprim është i paligjshëm dhe pengon funksionimin e bordit.

Pak javë më parë, administrata njoftoi synimin për të kërkuar anulimin e fondeve për CPB-në si pjesë e një pakete shkurtime buxhetore prej 9.1 miliardë dollarësh, e cila ende nuk është dërguar në Kongres.

Në të njëjtën linjë, administrata Trump ka synuar shpërbërjen e Agjencisë Amerikane për Median Globale, që përfshin Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë, organizata që mbështesin gazetarinë e lirë në vendet ku shtypi është i kufizuar. Këto përpjekje janë sfiduar në gjykatat federale, të cilat në disa raste kanë vendosur se Trump ka tejkaluar kompetencat e tij./AP