
Lugina Neelum, një destinacion i njohur turistik në Pakistanin verior, që zakonisht tërheq rreth 300 mijë vizitorë çdo verë, është zbrazur këtë sezon për shkak të frikës nga një konflikt i mundshëm me Indinë.
Pas një sulmi të armatosur javën e kaluar në qytetin turistik indian Pahalgam, ku u vranë 26 persona, tensionet mes dy vendeve u rritën ndjeshëm. India akuzoi Pakistanin për sulmin, por ky i fundit e mohoi përfshirjen. Frika nga përshkallëzimi i situatës ka ndikuar ndjeshëm në industrinë e turizmit në zonën kufitare, përcjell AP.
Lugina Neelum ndodhet më pak se 3 kilometra nga Vija e Kontrollit, kufiri de facto që ndan rajonin e kontestuar të Kashmirit, duke e bërë atë një zonë të rrezikuar në rast të ndonjë konflikti të mundshëm ushtarak.
“Shumica e turistëve janë larguar, nga frika e luftës,” tha Rafaqat Hussain, një pronar hoteli në zonë, duke shtuar se biznesi është goditur rëndë.
Në anën indiane të Kashmirit, autoritetet kanë mbyllur dhjetëra vendpushime si masë sigurie, ndërsa në pjesën pakistaneze nuk janë dhënë urdhra zyrtarë për mbyllje. Pavarësisht kësaj, qytetarët në zonat kufitare janë të shqetësuar.
“Ne lutemi për paqe, sepse në çdo luftë vuajnë më shumë civilët,” tha Bashir Mughal, një banor i qytetit Chakothi, i cili shtoi se do të mbështeste ushtrinë në rast konflikti.