Vendosni fjalën kyçe....

Temu ndalon shitjet direkte nga Kina drejt SHBA-së, për shkak të mbylljes së përjashtimit doganor


Platforma kineze e tregtisë online Temu ka njoftuar se nuk do të shesë më produkte të importuara nga Kina direkt për klientët në SHBA, një ndryshim i rëndësishëm që vjen pas mbylljes së një përjashtimi doganor për pakot me vlerë të ulët.

Në vend të kësaj, kompania do t’i kalojë shitjet te shitës të bazuar brenda SHBA-së, duke u përpjekur t’i përshtatet ndryshimeve të fundit në rregullat tregtare.

“Të gjitha shitjet në SHBA tani do të trajtohen nga shitës vendas, me porositë që do të përmbushen brenda vendit”, deklaroi Temu, duke shtuar se kjo lëvizje synon të ndihmojë tregtarët amerikanë të zgjerojnë bizneset e tyre, sipas BBC.

Ky vendim vjen pasi administrata e presidentit Donald Trump ka mbyllur përjashtimin e njohur si “de minimis”, që u lejonte kompanive si Temu dhe rivales së saj Shein të dërgonin paketa me vlerë më të ulët se 800 dollarë në SHBA pa paguar detyrime apo taksa doganore.

Sipas autoriteteve amerikane, kjo skemë ishte abuzuar nga kompanitë kineze për të shmangur tarifat dhe, më shqetësuese, ishte shfrytëzuar për të fshehur dërgimin e substancave të paligjshme, përfshirë opioidet sintetikë si fentanili.

 Vetëm fentanili, sipas të dhënave të Shtëpisë së Bardhë, shkakton rreth 75 mijë vdekje në SHBA çdo vit.

Si Temu, ashtu edhe Shein, kishin përfituar masivisht nga ky përjashtim, duke u bërë platforma shumë të njohura për konsumatorët amerikanë për shkak të çmimeve ultra të ulëta.

Por ndryshimet e fundit në politikat tregtare kanë rritur ndjeshëm kostot e operimit, duke detyruar kompanitë të ndryshojnë strategjitë e tyre. Që nga 25 prilli, ato kanë paralajmëruar edhe “rregullime çmimesh”.

Vendimi i Temu-s për të braktisur modelin e dërgesave direkte nga Kina është një përgjigje direkte ndaj presionit të shtuar nga administrata Trump, e cila ka vendosur tarifa të reja ndaj importeve kineze që mund të shkojnë deri në 245%.

Autoritetet amerikane kanë theksuar gjithashtu se rritja e jashtëzakonshme e pakove me përjashtim doganor – nga 140 milionë në më shumë se një miliard për një dekadë – ka vënë nën presion të madh pikat kufitare dhe agjencitë doganore.

Nuk ka ende një koment nga kompania Shein mbi zhvillimet e fundit.