
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në Tiranë Mbretin e Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare me ftesë të kreut të shtetit shqiptar.
Takimi nisi me një bisedë kokë më kokë mes Presidentit Begaj dhe Mbretit Abdullah II, ku u diskutua për forcimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve. Më pas, liderëve iu bashkuan delegacionet përkatëse në një takim të zgjeruar dypalësh.
Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe tërheqjes së investimeve jordaneze në Shqipëri.
Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Jordanisë për Kosovën, në veçanti për përpjekjet e saj drejt njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Në deklaratën e tij, Presidenti shqiptar u shpreh: “Shqipëria mbështet hapjen e zyrës ndërlidhëse të NATO-s në Jordani. Jordania është një partner i rëndësishëm në krahun jugor të Aleancës. Iniciativa e Procesit të Aqaba-s është një nismë e suksesshme në luftën kundër terrorizmit dhe Jordania mbetet një kolonë e fortë e stabilitetit në rajon”.
Gjithashtu, Begaj theksoi nevojën për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke vlerësuar rolin kyç të Jordanisë në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.