
Dy muaj pasi Izraeli mbylli të gjitha pikat kufitare me Gazën, situata humanitare në rajon është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë për rrezikun e urisë masive.
Mbyllja e kufijve ka bllokuar hyrjen e mallrave jetike si ushqime, karburant dhe ilaçe, ndërsa Izraeli ka rifilluar ofensivën ndaj Hamasit, pas ndërprerjes së armëpushimit dy mujor. Qëllimi i këtij presioni, sipas autoriteteve izraelite, është lirimi i pengjeve që Hamasi ende mban.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së dhe UNRWA-s, rezervat e ndihmës tashmë janë shteruar. Autoritetet ndërkombëtare po i bëjnë thirrje Izraelit që të heqë bllokadën për të shmangur një katastrofë humanitare.
“Ndihma nuk duhet të jetë mjet negociimi. Bllokimi i ndihmës vret,” paralajmëroi shefi humanitar i OKB-së, Tom Fletcher.
Kuzhinat humanitare, si ajo e organizatës Anera në Khan Younis, po funksionojnë në kufijtë e fundit, duke ushqyer rreth 6,000 persona në ditë. Por pa furnizime të reja, edhe këto do të detyrohen të mbyllen. Rezervat janë pothuajse në fund dhe pritet që të zgjasin vetëm për pak ditë, përcjell BBC.
Zyrtari i Anera-s, zoti Matar, thotë se më parë merrnin mbi 100 kamionë ndihma çdo javë. Tani, nuk marrin asgjë. Madje, edhe furnizimi me ushqime bazë si oriz, makarona, vaj dhe kripë është bërë pothuajse i pamundur. Çmimi i druve për gatim është rritur ndjeshëm, ndërsa për kuzhinën nevojiten mbi 700 kg dru çdo ditë.
Nga ana tjetër, Izraeli ka akuzuar Hamasin për përvetësim të ndihmave humanitare. Por OKB-ja dhe organizatat joqeveritare e mohojnë këtë, duke deklaruar se shpërndarja monitorohet rreptësisht dhe është transparente.
“Ne kemi një sistem të qartë shpërndarjeje dhe një bazë të dhënash me emra, ID dhe adresa përfituesish, për të shmangur keqpërdorimet,” tha Matar.