Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë përfitojnë Ukraina e SHBA-ja nga marrëveshja mineraleve – Bloomberg


Pas muajsh shkëmbimesh, shpeshherë të ashpra dhe një përplasjeje para kamerave në Shtëpinë e Bardhë, administrata Trump më në fund arriti një marrëveshje me Ukrainën që i jep SHBA-së qasje të privilegjuar në burimet natyrore të vendit në luftë, duke përfshirë aluminin, grafitin, naftën dhe gazin natyror.

Marrëveshja është emblematike e stilit transaksional të politikës së jashtme të përkrahur nga presidenti i SHBA-së, Trump, i cili kërcënoi se do ndërpresë mbështetjen ushtarake për Kievin, nëse homologu i tij ukrainas Zelensky nuk do lejonte që SHBA-ja të përfitojë nga pasuria minerale dhe rezervat energjetike të pashfrytëzuara të Ukrainës.

Sipas kushteve të marrëveshjes së nënshkruar më 30 prill, SHBA-ja do merrte një pjesë fitimesh që do derdhen në një fond investimi special. Një pjesë e të ardhurave do shkojnë për të rimbursuar SHBA-në për ndihmën e ardhshme ushtarake për Ukrainën.

Mund të kishte qenë më keq për Zelensky-n, pasi SHBA-ja fillimisht kishte kërkuar që fondi të përdorej për të shlyer miliarda dollarët e ndihmës amerikane të dërguar tashmë në Ukrainë që kur forcat ruse pushtuan vendin në vitin 2022. Uashingtoni gjithashtu pranoi synimin e Kievit për marrëveshjen për të shmangur çdo përplasje me planet e tij për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, diçka që prej kohësh shihet si një vijë e kuqe e bisedimeve për Ukrainën.

Trump ka argumentuar se SHBA-ja ka ofruar shumë ndihmë për Ukrainën dhe ka pohuar vijimësisht se amerikanët kanë ndihmuar shumë më tepër se vendet evropiane.

Duke kërkuar të rikuperojë kostot e ndihmës së SHBA-së, ai fillimisht bëri disa kërkesa, në një çast të caktuar duke kërkuar rreth 500 miliardë dollarë nga mineralet e rralla, materiale që luajnë një rol kyç në mbrojtje dhe industri të tjera të teknologjisë së lartë.

Çfarë përfshin marrëveshja?

Ministrja e Ekonomisë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko e prezantoi marrëveshjen përfundimtare si një partneritet të barabartë, duke thënë se fondi i investimeve do strukturohet mbi bazën 50-50 dhe do menaxhohet bashkërisht nga Ukraina dhe SHBA. Asetet e qeverisë, duke përfshirë kompaninë e naftës Ukrnafta dhe prodhuesin e energjisë bërthamore Energoatom, do mbeten në pronësi të shtetit ukrainas.

Fondi do merrte gjysmën e të ardhurave nga licencat e reja për të shfrytëzuar materiale kritike, naftë dhe gaz, shkroi Svyrydenko në X, një veprim për të siguruar që Uashingtoni do të përfitojë vetëm nga projektet e reja dhe jo nga ato ekzistuese.

Marrëveshja shënon një largim të fortë nga qasja tradicionale e SHBA-së për të ndihmuar aleatët e goditur nga konflikti. Është më pak si Plani Marshall, nisma amerikane për të financuar rindërtimin ekonomik të Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, dhe më shumë e ngjashme me Traktatin e Versajës, marrëveshjen e pas Luftës së Parë Botërore që kërkoi dëmshpërblime nga Gjermania agresore, përveç në këtë rast, pagesat do vijnë nga vendi i pushtuar, Ukraina.

Marrëveshja do shohë rrjedhjen e parave nga një komb që tashmë është shkatërruar ekonomikisht nga pushtimi dhe kërkon rreth 524 miliardë dollarë për rindërtim dhe rimëkëmbje gjatë dekadës së ardhshme, sipas një studimi nga qeveria ukrainase, Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe Kombet e Bashkuara.

Politika e jashtme rrallëherë është altruiste. Plani Marshall ishte një investim strategjik i SHBA-së për të ndihmuar në rindërtimin e kombeve evropiane si partnerë të qëndrueshëm, për të frenuar përhapjen e komunizmit dhe për të zgjeruar tregun për mallrat amerikane. Por marrëveshja me Ukrainën është në mënyrë më eksplicite transaksionale, me qasjen në burimet e saj natyrore që shërben si një parakusht për angazhimin dhe mbështetjen e SHBA-së. Trump ka thënë se pakti do t’i lejonte SHBA-së të “marrë paratë tona dhe ne do marrim shumë para në të ardhmen”.

Disa raporte kanë sugjeruar se Ukraina ka depozita minerale me vlerë të paktën 10 trilion dollarë, duke përfshirë litiumin, grafitin dhe titanin. Por nuk dihet shumë se sa prej tyre janë komercialisht të zbatueshëm.

Mallrat me shumicë si qymyri dhe minerali i hekurit, si dhe uraniumi, janë ndoshta depozitat më logjike që SHBA-ja duhet të synojë. Kjo për shkak se pas ndërtimit të minierave dhe nxjerrjes së tyre, është më e lehtë të shiten furnizime direkt në treg sesa materiale të tjera që kërkojnë përpunim shtesë, si grafiti dhe mineralet e tjera të rralla.

Përpunimi i mineraleve të tilla jashtë Kinës do kishte nevojë për investime në objekte dhe shpesh vjen me çështje mjedisore dhe teknike. Një pengesë tjetër është se shumë mallra që mund të nxjerrë Ukraina janë aktualisht të furnizuara mirë globalisht, kështu që çmimet mund të mos jenë mjaft tërheqëse për të garantuar angazhimin e sasive të mëdha të kapitalit.

Për sa i përket rezervave, Ukraina shihet gjerësisht si një nga dhjetë vendet në botë me rezervat më të mëdha të qymyrit, uraniumit dhe hekurit, por kostot e saj të prodhimit mund të jenë dukshëm më të larta se furnizuesit kryesorë në botë. Gazi natyror – prej të cilit ka rezerva të konsiderueshme – dhe gazi shist argjilor gjithashtu mund të shfrytëzohen.

Çfarë depozita të tjera metalesh ka Ukraina?

Ukraina ka qenë gjithashtu e prirur të promovojë depozitat e saj të litiumit, grafitit dhe titanit. Ajo thotë se ka depozitën më të madhe të litiumit në Evropë – një metal kyç në bateritë e automjeteve elektrike – por çmimet janë ulur në vitet e fundit pasi prodhimi është rritur shumë më shpejt se kërkesa.

Kur bëhet fjalë për titanin, Ukraina nuk po prodhon domosdoshmërisht llojin që i nevojitet industrisë së mbrojtjes amerikane – ajo nuk ka kapacitet për të bërë sfungjer titani, formën e metalit të përdorur në motorët e avionëve, veshjet e blinduara dhe aplikimet e tjera të mbrojtjes, sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.

Përsëri, nxjerrja e këtyre llojeve të mallrave është më e lehtë sesa përpunimi i tyre. Përpunimi i materialeve si titani, mineralet e rralla dhe grafiti do kërkonte shumë investime, sipas kompanisë së specializuar të të dhënave të mallrave CRU Group.

“Qasja në burime është një hap i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm, për rritjen e furnizimit me këto minerale, ose krijimin e një vëllimi më të madh furnizimi që nuk është minuar apo përpunuar në Kinë”, tha Willis Thomas, këshilltar kryesor në CRU.

Trump ka theksuar veçanërisht mineralet e rralla, elementë të përdorur në një gamë të gjerë artikujsh, duke përfshirë iPhone dhe raketa të drejtuara me lazer, furnizimi i të cilave dominohet nga Kina. Ndërsa Ukraina ka raportuar një sërë depozitash, pak dihet për potencialin e tyre. Edhe ish-kreu i ekipit gjeologjik të Ukrainës tha se nuk kishte pasur vlerësim modern të burimeve të saj, sipas S&P Global.

Jashtë Kinës, rezervat më të mëdha të mineraleve të rralla janë në vende të tilla si Brazili, India, Australia dhe Rusia, si dhe vetë SHBA-ja, sipas USGS.

Ashtu si shumë minerale kritike, mineralet e rralla janë relativisht të bollshme globalisht, por shpesh nuk ekzistojnë në përqendrime mjaft të mëdha për t’u nxjerrë dhe rafinuar ekonomikisht. Tregu për ta është gjithashtu i vogël në krahasim me mallrat si bakri apo nafta.

Edhe nëse depozitat e mineraleve të rralla të Ukrainës janë komercialisht të qëndrueshme, ato do duhet të përpunohen. Tani për tani, Kina përbën rreth 90% të kapacitetit të ndarjes dhe rafinimit.

Një tjetër gjë për t’u theksuar është se kompanitë minerare kryesorë të botës, të cilët kanë shpenzuar pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit duke kërkuar nëpër botë për depozita të pashfrytëzuara të mallrave, treguan pak interes për Ukrainën përpara luftës.

Sa e pasur është Ukraina në naftë dhe gaz?

Ukraina ka bërë përpjekje për të rritur prodhimin e saj të gazit në dekadën e fundit. Është vlerësuar të ketë rreth 5.4 trilionë metra kub rezerva gazi, duke përfshirë 1.1 trilion metra kub rezerva të provuara, të cilat janë ndër më të mëdhatë në Evropë, sipas Qendrës së Ekselencës së Sigurisë Energjetike të NATO-s. Ajo gjithashtu mban rezerva të konsiderueshme të pashfrytëzuara të gazit argjilor, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Vendi tashmë ka një nga rrjetet më të mëdha të tubacioneve të gazit dhe depozitave nëntokësore. Para luftës, tubacionet e saj të epokës sovjetike mund të kalonin më shumë se 140 miliardë metra kub gaz rus drejt Evropës Qendrore, e barabartë me më shumë se 20% të kërkesës së përgjithshme për gaz të kontinentit. Por flukset u ndalën pasi një marrëveshje tranziti skadoi në fillim të vitit.

Në naftë, rezervat modeste të naftës të Ukrainës përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të atyre tashmë në zhvillim në SHBA.

Çfarë është e gatshme të sigurojë SHBA në këmbim të kësaj marrëveshjeje?

Sekretari i Thesarit Scott Bessent ka thënë se SHBA-ja mund të ndihmojë në shtytjen e Ukrainës drejt një “trajektoreje të madhe rritjeje”. Por marrëveshja nuk ofron garanci të qarta sigurie për Ukrainën. Zelensky ka kërkuar garanci të tilla, por zyrtarët amerikanë thanë se lidhja e Ukrainës me SHBA-në përmes lidhjeve ekonomike do siguronte një mburojë sigurie de fakto.

Të shqetësuara se kjo nuk do jetë e mjaftueshme për të penguar Moskën, qeveritë evropiane kanë shtyrë për një angazhim më të qartë nga administrata Trump për të mbështetur një dislokim të mundshëm të trupave evropiane për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës, pa dobi për momentin.

Ideja e një “koalicioni të të gatshëmve” për të ofruar ushtarë  në terren – e propozuar nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer – u hodh poshtë nga Steve Witkoff, i dërguari special i Trump në Lindjen e Mesme, i cili gjithashtu po udhëheq negociatat e armëpushimit të SHBA me Rusinë dhe është takuar me presidentin rus Putin katër herë që nga shkurti, në një intervistë me gazetarin Tucker Carlson.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani