Sportistët transgjinorë nuk do lejohen më të garojnë në futbollin e femrave në Angli, sipas Shoqatës së Futbollit të vendit (FA). Ndryshimi i politikës u nxit nga një vendim i Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Bashkuar.
Pjesëmarrja e sportistëve transgjinorë në sportet e grave ka qenë një temë e nxehtë vitet e fundit. Disa argumentojnë se kjo minon konkurrencën e ndershme, ndërsa të tjerë besojnë se atletët trans duhet të përfshihen në bazë të identitetit gjinor dhe jo në bazë të ‘gjinisë së caktuar’ në lindje, shkruan Rt.
“Gratë transgjinore nuk do jenë më në gjendje të luajnë në futbollin e femrave në Angli dhe kjo politikë do zbatohet nga 1 qershori 2025”, tha FA në një deklaratë të lëshuar të enjten, duke cituar vendimin e gjykatës të muajit të kaluar.
Më 15 prill, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi se termi ‘grua’ i referohet seksit biologjik, jo identitetit gjinor, që do të thotë se individët transgjinorë që kanë lindur mashkull nuk konsiderohen ligjërisht gra për qëllime të mbrojtjes së një gjinie. Vendimi vjen pasi një grup në Skoci sfidoi një ligj skocez që synonte rritjen e numrit të grave në bordet publike, i cili përfshinte gra transgjinore me njohje ligjore si femra.
Ndalimi vjen një muaj pasi shoqata vendosi që gratë transgjinore mund të vazhdojnë të luajnë në lojën e grave për sa kohë që ato mbajnë nivelet e tyre të testosteronit nën 5 n/mol për të paktën 12 muaj.
Shoqata Skoceze e Futbollit ka shpallur të njëjtën politikë, duke thënë se po i ndalon gratë transgjinore nga futbolli i grave.
