
Sekretari i Thesarit të SHBA, Scott Bessent, i bëri thirrje të enjten Rezervës Federale që të ulë normat e interesit, duke argumentuar se tregjet tashmë po sinjalizojnë nevojën për një politikë më të lirshme monetare.
“Po shohim që normat afatshkurtra dyvjeçare janë më të ulëta se normat e fondeve të Fed-it, çka është një sinjal i qartë nga tregjet që mendojnë se Fed-i duhet të ulë normat,” deklaroi Bessent gjatë një interviste për Fox Business Network, përcjell The Guardian.
Thirrja e tij vjen në një kohë kur presidenti Donald Trump ka intensifikuar sulmet e tij publike ndaj kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell. Gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë mbrëmjen e së mërkurës, Trump deklaroi:
“Normat e hipotekave janë paksa më të ulëta, edhe pse kam në Fed një njeri që nuk jam ndonjë fans i madh i tij. Ai duhet të ulë normat e interesit. Mendoj se e kuptoj më mirë sesa ai këtë çështje, sepse kam pasur nevojë të përdor interesat gjatë gjithë jetës sime.”
Presidenti përsëriti kritikat ndaj Powell edhe në mitingun e tij 100-ditor në Michigan, ku tha:
“Normat e interesit ranë, edhe pse kam në Fed dikë që nuk po bën një punë shumë të mirë – por nuk do ta them këtë… Dua të jem i sjellshëm dhe i respektueshëm ndaj Fed-it. Nuk je i supozuar të kritikosh Fed-in, duhet ta lësh të bëjë punën e tij, por unë di shumë më tepër sesa ai për interesat, më besoni.”
Trump ka kërkuar në mënyrë të përsëritur ulje të normave të interesit, veçanërisht pas paqëndrueshmërisë në tregjet financiare të shkaktuara nga vendimet e tij për vendosjen e tarifave ndaj pothuajse të gjitha vendeve – përveç Rusisë.
Ai ka paralajmëruar se nëse Powell nuk reagon me lehtësim monetar, SHBA mund të përballet me një recesion. Në një rast, presidenti e ka cilësuar Powell si një “humbës të madh”.
Përballë këtyre presioneve, Powell ka mbrojtur qëndrimin e tij konservator, duke përmendur ndikimin e tarifave të vendosura nga vetë presidenti si arsye për të frenuar inflacionin – dhe për këtë arsye, për të mos ulur normat.