
Rreth 1500 banorë të fshatit Gryksh i Madh, në Njësinë Administrative Pajovë të bashkisë Peqin, protestuan këtë të enjte përballë projektit të autostradës Lekaj–Peqin–Elbasan, që kalon përmes zonës së tyre. Protestuesit kërkuan ndërtimin e një nënkalimi, dëmshpërblim të drejtë për tokat e prekura, si dhe marrjen e masave për rikthimin në funksion të infrastrukturës bujqësore dhe ujësjellësit lokal.
Sipas banorëve, ndërtimi i autostradës ka ndërprerë aksesin e tyre drejt pronave bujqësore, ka dëmtuar sistemin e ujitjes dhe kullimit, dhe ka ndikuar negativisht në jetën ekonomike dhe sociale të komunitetit, i cili përbëhet nga rreth 350 familje.
“Po kërkojmë ndërtimin e një nënkalimi që të mund të kalojmë drejt tokave tona. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë se të drejtën tonë,” deklaruan disa nga banorët gjatë protestës.
Një tjetër shqetësim i ngritur ishte ndikimi potencial mjedisor në rrjedhën natyrore të lumit Shkumbin, për të cilin banorët shprehen të alarmuar, duke paralajmëruar pasoja të mundshme afatgjata për zonën.
Banorët gjithashtu kanë akuzuar autoritetet dhe kompaninë zbatuese të projektit për mungesë transparence dhe për moskonsultim me komunitetin lokal. Ata shprehën pakënaqësi të thellë ndaj institucioneve dhe klasës politike, duke deklaruar se ndihen të përjashtuar dhe të papërfaqësuar.
“Nëse nuk do të ketë zgjidhje konkrete për kërkesat tona, do të përshkallëzojmë protestat. Nuk përjashtohet as bojkoti i institucioneve,” thanë përfaqësues të protestës në fund të tubimit.
Për momentin, autoritetet shtetërore dhe kompania zbatuese e projektit nuk kanë dhënë një reagim publik lidhur me protestën dhe kërkesat e banorëve të Grykshit të Madh.