Vendosni fjalën kyçe....

Incident pas takimit elektoral në Ostren, SPAK nis hetimet për përplasjen mes deputetit Xhelal Mziu dhe një zyrtari të Bashkisë Bulqizë


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë në shqyrtim materialet e referuara nga Policia e Bulqizës lidhur me një incident të ndodhur më 24 prill, pas një aktiviteti elektoral të Partisë Demokratike në fshatin Ostren. Në qendër të ngjarjes janë përfshirë deputeti demokrat Xhelal Mziu, nipi i tij dhe zyrtari i Bashkisë Bulqizë, Kalosh Murra.

Sipas Policisë, ngjarja dyshohet se ka ndodhur në ambientet pranë njësisë administrative, ku Murra pretendon se është dhunuar nga Mziu dhe nipi i tij. Ai ka deklaruar se është kapur për fyti nga deputeti dhe goditur me grushte nga i afërmi i tij, pa ndonjë provokim të mëparshëm.

Materialet e ngjarjes janë depozituar në SPAK për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, ndërsa kallëzime janë dorëzuar edhe nga vetë deputeti Mziu, i cili pretendon se është ai që është dhunuar gjatë incidentit, si dhe nga një qytetar tjetër që deklaron se ka qenë viktimë e dhunës në të njëjtën ngjarje.

Hetimet janë marrë në dorë nga prokurori Elvin Gokaj, i caktuar për të ndjekur krimet zgjedhore në qarkun Dibër deri në përfundim të procesit elektoral. Në ditët në vijim, pritet që SPAK të thërrasë për deklarime palët e përfshira dhe dëshmitarët që kanë qenë të pranishëm në vendngjarje.

Ndërkohë, deputeti Xhelal Mziu ka reaguar publikisht duke kërkuar sekuestrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja dhe ka akuzuar Policinë e Dibrës për mungesë paanësie, duke pretenduar për lidhje familjare mes drejtuesve të policisë dhe përfaqësuesve lokalë të Partisë Socialiste.

Në rrjetet sociale janë shpërndarë video që pretendojnë të tregojnë momentet e incidentit, por pamjet e filmuara nga distanca nuk e identifikojnë qartë deputetin Mziu si autor të dhunës. Po ashtu, në një tjetër video të qarkulluar online, Mziu pretendon se babai i kandidatit të PS, Murat Dani, ka sulmuar kryetarin e PD-së në Bulqizë, Shaqir Manjani.

SPAK ka konfirmuar se çështja është në shqyrtim dhe veprimet hetimore do të vijojnë në përputhje me ligjin.