Vendosni fjalën kyçe....

Nga universiteti drejt deportimit, SHBA fshin pa paralajmërim statuset ligjore


Qeveria amerikane ka hedhur dritë të re mbi veprimet e saj ndaj studentëve ndërkombëtarë, duke shpjeguar se si janë shënjestruar mijëra persona dhe cilat janë arsyet pas ndërprerjes së statusit të tyre ligjor.

Këto detaje dolën në dritë nëpërmjet padive të ngritura nga disa studentë, të cilëve u ishte anuluar papritur statusi ligjor gjatë javëve të fundit, pa ndonjë shpjegim të qartë.

Muajin e kaluar, studentë të huaj në të gjithë SHBA-në mbetën të tronditur kur mësuan se të dhënat e tyre ishin hequr nga një bazë të dhënash e administruar nga Zyra e Imigracionit dhe Doganave (ICE). Disa u fshehën nga frika e deportimit, ndërsa të tjerë ndërprenë studimet dhe u kthyen në vendet e tyre.

Të premten, përballë rritjes së sfidave ligjore, zyrtarë federalë njoftuan se qeveria po rivendoste statusin ligjor të studentëve ndërkombëtarë, ndërkohë që po hartonte një strukturë të re për mënyrën se si do të trajtohen rastet e ardhshme të ndërprerjes së licencës.

Në një dokument të paraqitur në gjykatë të hënën, qeveria ndau udhëzimet e reja që përshkruajnë disa arsye të mundshme për anulimin e statusit të studentëve – përfshirë revokimin e vizës me të cilën kanë hyrë në SHBA.

Sipas avokatit të imigracionit Brad Banias, i cili përfaqëson një nga studentët, këto udhëzime të reja i japin ICE-së një autoritet shumë më të gjerë sesa më parë. Më parë, revokimi i vizës nuk ishte arsye për humbjen e statusit ligjor; një student me vizë të revokuar mund të qëndronte në SHBA për të përfunduar studimet, por nuk do të mund të rihynte nëse largohej nga vendi.

“Kjo i jep Departamentit të Shtetit lirinë të revokojë një vizë dhe më pas të deportojë studentin, edhe nëse ai nuk ka bërë asgjë të gabuar,” tha Banias.

Shumë nga studentët që humbën statusin ose u revokuan vizat, kishin vetëm shkelje të vogla, si gjoba trafiku. Disa nuk e dinin fare pse ishin shënjestruar.

Në një seancë gjyqësore të martën për rastin e klientit të Banias, Akshar Patel – një student që studion sistemet e informacionit në Teksas – avokatët e qeverisë dhanë më shumë shpjegime. Patel kishte humbur statusin këtë muaj, por më pas ai u rivendos. Ai po kërkon një vendim gjyqësor për të parandaluar deportimin.

Sipas dokumenteve gjyqësore, zyrtarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare kishin kontrolluar emrat e mbajtësve të vizave studentore në Qendrën Kombëtare të Informacionit për Krimin (NCIC) – një bazë të dhënash e FBI-së që përmban informacione mbi të dyshuar, persona të zhdukur dhe të arrestuar, edhe nëse nuk janë akuzuar zyrtarisht ose akuzat janë hedhur poshtë.

Gjykatësja federale Ana Reyes tha se nga kjo kërkim-databazë dolën rreth 6,400 studentë, mes tyre edhe Patel, i cili ishte ndaluar për drejtim të pakujdesshëm në vitin 2018 – një akuzë që më vonë ishte rrëzuar.

Patel ishte në një listë me 734 studentë, emrat e të cilëve u shfaqën në bazën NCIC. Kjo listë iu dërgua një zyrtari të Sigurisë Kombëtare, i cili brenda 24 orëve dha urdhrin: “Ju lutem, fshini të gjithë nga SEVIS” – një bazë të dhënash tjetër që përmban të huajt me status të ligjshëm si studentë në SHBA.

Gjykatësja Reyes tha se ky veprim i shpejtë tregon se askush nuk kishte shqyrtuar individualisht rastet, për të parë pse emrat ishin shfaqur në NCIC. “E gjithë kjo mund të ishte shmangur nëse dikush do të ishte kujdesur për këtë,” tha ajo. Reyes shtoi se qeveria kishte treguar “mungesë totale kujdesi për individët që kanë ardhur në këtë vend.”

Ky zhvillim shkaktoi kaos në universitete. Më parë, ndryshimet në statusin ligjor bëheshin pasi vetë kolegjet njoftonim qeverinë për mosvazhdimin e studimeve nga studentët. Por këtë pranverë, kolegjet u detyruan t’u thonë studentëve të ndërpresin menjëherë punën apo ndjekjen e mësimeve dhe i paralajmëruan për rrezikun e deportimit.

Megjithatë, avokatët e qeverisë thanë se ndryshimi në bazën e të dhënave nuk do të thotë automatikisht humbje të statusit ligjor. Sipas tyre, ky ndryshim ishte thjesht një “flamur i kuq hetimor”, jo një vendim përfundimtar./AP