Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja e Mjedisit në Spanjë: Mos fajësoni energjinë e rinovueshme për ndërprerjen masive të energjisë


Ministrja spanjolle e Mjedisit, Sara Aagesen, ka paralajmëruar kundër përpjekjeve për të fajësuar energjinë e rinovueshme për ndërprerjen e paprecedentë të energjisë elektrike që përfshiu gadishullin Iberik të hënën. Ajo mbrojti besueshmërinë e rrjetit kombëtar të energjisë dhe premtoi një “auditim të plotë” për të zbuluar shkaqet e avarisë, përcjell The Guardian.

Duke folur të mërkurën, ndërsa një komitet i posaçëm pritej të mblidhej për të hetuar incidentin, Aagesen hodhi poshtë akuzat nga opozita se politika qeveritare në favor të burimeve të rinovueshme ka cënuar stabilitetin e sistemit energjetik.

Ajo sqaroi se të hënën energjia elektrike në Spanjë u prodhua nga një përzierje burimesh: 55% nga energjia diellore, 10% nga era, 10% nga energjia bërthamore dhe rreth 10% nga hidrocentralet.

“Sistemi ka funksionuar më parë në kushte të ngjashme pa probleme. Fajësimi i energjisë së rinovueshme në këtë kontekst nuk është i përshtatshëm,” tha Aagesen.

Kryeministri Pedro Sánchez i cilësoi akuzat për mungesë të energjisë bërthamore si shkak të krizës si “gënjeshtra apo injorancë”. Ai thirri për një takim urgjent përfaqësuesit e kompanive kryesore energjetike në vend, duke përfshirë Red Eléctrica, Iberdrola, Endesa, Acciona Energía dhe Naturgy, për të analizuar situatën.

Presidentja e Red Eléctrica, Beatriz Corredor, deklaroi se shkaku i ndërprerjes është identifikuar, por nevojitet analizë e mëtejshme për shkak të sasisë së madhe të të dhënave. Ajo theksoi se nuk do të jepte dorëheqje dhe se rrjeti elektrik është i sigurt edhe me dominimin e burimeve të rinovueshme.

Incidenti ndodhi të hënën në orën 12:33, kur për pesë sekonda u humbën rreth 15 gigavat energji – ekuivalente me 60% të konsumit total në atë moment.

Spanja synon që deri në fund të dekadës të gjenerojë 81% të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme. Vitin e kaluar, ky nivel arriti në një rekord prej 56%.