Vendosni fjalën kyçe....

Eksportet kineze të e-commerce bien ndjeshëm përballë tarifave amerikane, pavarësisht rritjes së shitjeve në BE


Platformat kineze të modës me çmime të ulëta, si Shein dhe Temu, kanë përjetuar një rënie të ndjeshme prej 65% të eksporteve drejt SHBA-së gjatë tre muajve të parë të vitit, si pasojë e luftës tregtare të rindezur nga Donald Trump.

Megjithatë, të dhënat zyrtare tregojnë se eksportet drejt Bashkimit Evropian janë rritur me 28% në të njëjtën periudhë.

Rënia ndodh ndërsa Shein thuhet se po shqyrton një ristrukturim në SHBA për të shmangur tarifat, përfshirë zhvendosjen e prodhimit në vende që nuk preken nga taksat e reja doganore – lëvizje që mund të shtyjë edhe listimin e planifikuar në bursën e Londrës.

Që nga 2 maji, SHBA do të heqë përjashtimin nga tarifat për importet nën 800 dollarë, çka pritet të ngjajë me efektin e Brexit për konsumatorët britanikë, duke e bërë blerjen e mallrave me vlerë të ulët jashtëzakonisht të shtrenjtë.

Tarifat ndëshkuese prej 145% për mallrat kineze kanë hyrë tashmë në fuqi, duke rritur ndjeshëm çmimet në platformat Temu dhe Shein.

Sipas një analize të Bloomberg, çmimi mesatar i 100 produkteve në kategoritë “lodra dhe lojëra” dhe “shëndet dhe bukuri” është rritur mbi 40% në dy javët e fundit.

CNBC raportoi se një fustan veror që kushtonte 18.47 dollarë në Temu tani shitet për 44.68 dollarë, pasi i shtohen 26.21 dollarë në tarifa doganore – një rritje prej 142%, përcjell The Guardian.

Ndërkohë, një rrobë banje për fëmijë nga 12.44 dollarë arrin në 31.12 dollarë me tarifën përkatëse. Një fshesë dore nga 16.93 dollarë arrin në 40.11 dollarë.

Në një deklaratë të publikuar të martën, qeveria kineze i dërgoi një mesazh sfidues Trump-it, duke thënë se “nuk do të gjunjëzohemi përballë tarifave ndëshkuese” dhe se “t’i nënshtrohesh një ngacmuesi është si të pish helm për të shuar etjen”.

Ndërkohë që tarifat synojnë të ringjallin prodhimin në SHBA, ato duket se po rëndojnë mbi bizneset dhe konsumatorët amerikanë. Walmart ka njoftuar se do të përpiqet të mbajë pjesën e tregut duke marrë përsipër tarifat për furnizuesit kinezë.

Amazon gjithashtu u përfshi në polemika, pas një raporti që sugjeronte se do të paraqiste ndarjen e tarifave në çmimet për konsumatorët.

Kjo u quajt nga Shtëpia e Bardhë një veprim “armiqësor dhe politik”, përpara se Trump të komunikonte personalisht me Jeff Bezos.

Presidenti tha më pas: “Jeff Bezos ishte shumë i sjellshëm. Ishte fantastik. E zgjidhi problemin menjëherë. Djalë i mirë.”

Amazon tha se ideja për ndarjen e tarifave ishte diskutuar, por kurrë nuk ishte miratuar apo zbatuar.

Temu dhe Shein nuk kanë komentuar publikisht për situatën.