Vendosni fjalën kyçe....

Moska pretendon kontroll të plotë mbi rajonin e Kurskut, Ukraina mohon përfundimin e luftimeve


Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë, Valery Gerasimov, deklaroi të shtunën në një takim me presidentin Vladimir Putin se trupat ukrainase janë larguar plotësisht nga pjesë të rajonit rus të Kurskut, ku Ukraina kishte realizuar një ofensivë të befasishme vitin e kaluar. Ukraina, megjithatë, mohon këto pretendime, përcjell AP.

Sipas Kremlinit, Putin përgëzoi ushtarët dhe komandantët rusë, duke thënë se inkursioni ukrainas ka “dështuar plotësisht”.

“Shkatërrimi i plotë i armikut në zonën kufitare të Kurskut krijon kushtet e duhura për suksese të mëtejshme të ushtrisë sonë,” u shpreh presidenti rus.

Por Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës kundërshtoi deklaratat ruse, duke thënë se përplasjet në Kursk vazhdojnë.

“Operacioni mbrojtës i Forcave të Mbrojtjes së Ukrainës në disa zona të rajonit të Kurskut vazhdon. Situata operative mbetet e vështirë, por njësitë tona po mbajnë pozicionet e caktuara dhe po shkaktojnë dëme të efektshme mbi armikun,” thuhej në deklaratë.

Gerasimov po ashtu konfirmoi për herë të parë praninë e trupave koreano-veriore në Kursk, duke thënë se “luftuan krah për krah me forcat ruse dhe treguan profesionalizëm të lartë, guxim dhe heroizëm.”

Në vjeshtë, Ukraina, SHBA dhe Koreja e Jugut kishin akuzuar Phenianin për dërgimin e rreth 10,000–12,000 trupave në ndihmë të Rusisë, akuzë që deri më tani Moska dhe Pheniani e kishin shmangur ta pranonin drejtpërdrejt, duke theksuar se bashkëpunimi i tyre ushtarak është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump dhe ai ukrainas Volodymyr Zelenskyy zhvilluan një takim të shkurtër prej 15 minutash në Vatikan, gjatë funeralit të Papa Françeskut, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme armëpushimi. Fillimisht ishte planifikuar një takim i dytë, por ai u anulua për shkak të axhendave të ngjeshura.

Trump u shpreh të premten se Ukraina dhe Rusia duhet të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë për t’i dhënë fund luftës trevjeçare. Ai tha se të dyja palët janë “shumë pranë një marrëveshjeje”, ndërsa i dërguari i tij Steve Witkoff ishte takuar më herët me presidentin Putin.

Në zhvillime të tjera, tre persona u vranë nga sulmet ruse gjatë natës në qytete të ndryshme të Ukrainës. Dy prej viktimave u raportuan në Donetsk dhe një tjetër në rajonin Dnipropetrovsk, ku gjashtë të tjerë mbetën të plagosur, përfshirë një vajzë 11-vjeçare dhe një grua 88-vjeçare.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi tre raketa dhe 114 dronë gjatë natës, nga të cilët 66 u rrëzuan dhe 31 të tjerë nuk arritën objektivin. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë raportoi se kishte rrëzuar 45 dronë ukrainas.