
Kandidatët e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku, kanë vijuar takimet me qytetarët në rrugët e Tiranës, si pjesë e fushatës zgjedhore. Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi ndau momente nga bashkëbisedimi me qytetarët, duke theksuar rëndësinë e programit ekonomik të PD-së në këtë garë.
“Programi ekonomik është kryefjala e kësaj fushate,” u shpreh Këlliçi, duke shtuar se përmes këtij programi PD synon të garantojë minimum jetik 200 euro, pagë minimale 500 euro dhe pagë mesatare 1200 euro.
Sipas tij, këto masa janë thelbësore për të ndaluar trendin e shpopullimit që po prek gjithë vendin.
“Masa të tilla janë emergjente për ndalimin e shpopullimit të Shqipërisë,” tha ai, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar në 11 maj.
Në vijim, ai shprehu bindjen se vota për PD është një votë për ndryshim të prekshëm ekonomik dhe social:
“Kjo do të konkretizohet me fitoren e shumëpritur të PD,” shkroi Këlliçi.
Ndërkohë, edhe Jorida Tabaku zhvilloi takime në terren, ku dëgjoi shqetësimet e banorëve të kryeqytetit dhe u zotua për angazhime konkrete në mbështetje të familjeve dhe sipërmarrjes së vogël.