Vendosni fjalën kyçe....

Shkelje në doganën e Kapshticës, procedohen 6 zyrtarë për shpërdorim detyre


Gjjashtë zyrtarë të doganës së Kapshticës, përfshirë Drejtorin e Hetimit Doganor dhe disa specialistë, janë proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Sipas hetimeve paraprake, më 15 prill 2025, këta zyrtarë dyshohet se kanë lejuar kalimin e një kamioni me mallra ushqimore pa kryer procedurat e nevojshme doganore, duke përdorur dokumentacion të dyshuar si të falsifikuar.

Tre prej zyrtarëve, me detyrë doganierë në Doganën e Kapshticës, akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe lejimin e kalimit të ngarkesës. Ndërkohë, Drejtori i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe dy specialistë të tjerë, janë proceduar për mosraportim në kohë të rastit pranë autoriteteve kompetente, duke vonuar hetimet për më shumë se 15 orë.

Të gjithë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë për hetime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

DVP Korçë

Shpërdoruan detyrën duke falsifikuar dokumentet e regjistrimit të një ngarkese me mallra ushqimore, procedohen penalisht 3 doganierë në Doganën e Kapshticës.

Procedohen penalisht Drejtori i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe dy specialistë për Hetimin Doganor, pasi nuk njoftuan organet kompetente, duke sjellë pasoja të rënda për hetimin e rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndaj shtetasve:

V. T., 49 vjeç, banues në Korçë;
E. G., 45 vjeç, banues në Tiranë;
A. E., 39 vjeçe, banuese në Korçë.
Procedimi penal filloi pasi këta shtetas, me detyrë doganierë në Doganën e Kapshticës, dyshohen se më datë 15.04.2025, nuk kanë kryer praktikat doganore për kalimin e një kamioni që transportonte mallra ushqimore, duke e regjistruar këtë ngarkesë me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.

Gjithashtu, po nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Korçë, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndaj shtetasve:

D. D., 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave;
G. T., 58 vjeç, dhe K. K., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë, me detyrë specialistë për Hetimin Doganor në të njëjtën drejtori.
Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi, më datë 15.04.2025, rreth orës 22:00, janë njoftuar për rastin e falsifikimit të dokumenteve, të konstatuar në afërsi të PPK Kapshticë nga shërbimet e Antikontrabandës. Pavarësisht marrjes së këtij njoftimi, këta shtetas nuk kanë informuar Prokurorin e gatshëm apo strukturat për hetimin e krimeve pranë DVP Korçë deri në orën 15:00 të datës 16.04.2025 (pas më shumë se 15 orësh), duke sjellë pasoja të rënda për hetimin e këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.