
Në kuadër të hetimeve për atentatin ndaj Gjovalin Prendit, ku 64-vjeçari humbi jetën, policia ka ndërmarrë një seri kontrollesh në të paktën pesë banesa të familjeve me të cilat Roan Brahimi kishte konflikte të thella dhe ishte i dyshuar për përfshirje në ngjarje të rënda kriminale.
Një nga ndalesat kryesore ka qenë në banesat e fisit Reçi në Mirditë, të përfshirë prej kohësh në një konflikt të përgjakshëm me fisin Gjini, me disa viktima nga të dyja palët. Brahimi dyshohej se kishte vepruar për llogari të palës kundërshtare, në këmbim të pagesës.
Kontrolle janë ushtruar gjithashtu në banesat e familjes së Ervis Martinajt dhe kushërinjve të tij, pas dyshimeve për përfshirjen e Brahimit në atentatin e vitit 2022 në Fushë Krujë, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj dhe dy persona të tjerë. Brahimi kishte pasur përplasje të forta me figurën e njohur të botës së krimit, të zhdukur prej gati tre vitesh.
Një tjetër ndalesë e hetuesve ishte banesa e Ylli Brahjas (alias Brahimi), kushëri i bashkëshortes së parë të Roan Brahimit. Ky i fundit dyshohet se i ka organizuar një atentat të afërmit të tij, duke e lënë të plagosur, ndërsa në ngjarje humbi jetën aksidentalisht Klisman Preci.
Sipas hetimeve, Roan Brahimi e akuzonte Brahjan se e kishte “tradhtuar” duke e dorëzuar te grupi i Martinajt, të cilët më pas e kishin dhunuar rëndë në një nga bizneset e tyre.
Policia ka ushtruar kontrolle edhe në banesën e Ardian Gjeloshit dhe familjarëve të tij, pas dyshimeve se Brahimi qëndronte pas atentatit në fshatin Gurrëz të Kurbinit. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur Gjeloshi dhe humbi jetën ekonomisti i kompanisë së tij, Selman Mihana.
Megjithë veprimet hetimore dhe kontrollet e shumta, deri më tani autoritetet nuk kanë mundur të identifikojnë autorët e dyshuar të atentatit ndaj Gjovalin Prendit.