
Kryesocialisti Edi Rama, pasditen e sotme, ka zhvilluar një takim me votuesit për herë të parë të tre njësive në Tiranë.
Në kuadër të fushatës elektorale, kreu i PS-së ka vendosur në agjendën e tij takime me të rinj.
Rama e nisi fjalën e tij duke sjellë në vëmendje disa vite të së shkuarës, duke u treguar të rinjve të pranishëm se shumë prej ngjarjeve të atyre viteve ata nuk i kanë përjetuar.
Kryesocialisti fillimisht foli për periudhën e firmave piramidale, duke u thënë të rinjve se nuk e dinë çfarë kanë humbur dikur disa prej prindërve të tyre.
Më tej, Rama foli për trazirat e vitit ’97, ku, sipas tij, ata nuk e kanë jetuar “zhurmën e kallashnikovëve”.
Sipas Ramës, Shqipëria dikur ka humbur disa shanse historike.
“Por nëse do ta vazhdojmë pak më tej, unë e kuptoj shumë mirë që shumë nga shokët dhe shoqet e mia, që nuk kanë parë çfarë kemi parë ne me sytë tanë, që nuk e dinë se nga është nisur ky qytet për të ardhur këtu ku është sot, që nuk e kanë jetuar historinë e viteve ’90, që nuk e kanë përjetuar Shqipërinë në prag të humnerës, që nuk i kanë parë rrugët të mbushura me njerëz të armatosur, që nuk kanë fjetur ndonjëherë në zhurmën e kallashnikovëve, që nuk kanë parë çdo mbrëmje në televizor se sa vetë ishin vrarë rrugëve, sot bëjnë pyetje: ‘Po përse PS?’. Njëri prej argumenteve është se, nëse PS do ta kishte pasur detyrën për të drejtuar vendin në mënyrë të pandërprerë që nga viti 1992 e deri më sot, Shqipëria do të ishte sot në Bashkimin Evropian. Nuk do të kishte humbur disa momente historike, disa shanse të pakthyeshme, duke rënë në humnerë dhe, nga ana tjetër, në të gjitha herët dhe vendet, qoftë në krye të vendit, qoftë në krye të bashkive, kurdoherë që të tjerët kanë pasur mundësinë për të drejtuar, vendi dhe çdo bashki e tij ka dalë më keq sesa kur e ka marrë drejtimin Partia Socialiste. Në të gjitha rastet, çdo herë që PS ka marrë drejtimin e vendit, gjërat kanë qenë më mirë.”-tha Rama.
Më tej, Rama ka sjellë në vëmendje etapat historike të Shqipërisë nga koha e Skënderbeut deri tek koha e rrëzimit të diktaturës.
Ndryshe nga takimet e tjera, ku Rama ka folur për trashëgiminë që figurat historike i kanë lënë shqiptarëve për të parë nga Perëndimi, ai ka shtuar se shqiptarët, në kohën kur rrëzuan diktaturën, e patën si thirrje të brendshme parullën ‘Duam Shqipërinë si Europa’.
“Skënderbeu, heroi kombëtar, nuk është se donte të shkonte në BE, se s’kishte BE atëherë. Por ai na tha neve që atje ishte destinacioni. Kur erdhën rilindasit, nuk kishte BE, por ata luftuan për një alfabet dhe na lanë vargun madhështor ‘Drita lind andej nga perëndon’. Edhe Ismail Qemali kishte objektiv shkëputjen nga Lindja dhe bashkimin me Perëndimin. Pas rënies së komunizmit, erdhi thirrja nga vetë populli: ‘E duam Shqipërinë si Europa’. Pastaj e mori bufi dhe e mori lumi Shqipërinë.”-tha Rama.
Rama nuk i kurseu batutat me vajzat që votojnë për herë të parë, duke i kërkuar atyre që të përdorin fuqinë tërheqëse që të bindin djemtë e lëkundur që të votojnë për PS më 11 maj.
“Nëse ata janë të lëkundur tolerojini, nëse thonë se do votojmë për bufin e kënetës, lërini, mos i shihni me sy, dënojini, mos ja varni fare.
Pastaj po qe se i doni aq shumë sa të ktheheni prapë tek ata lërini ca kohë të pendohen dhe kthehuni kur t’ju japin fjalën që nuk do ta përsërisin më atë gabim. ‘-tha Rama.
Rama është ndalur edhe te vendi ku ka qenë duke u zhvilluar takimi me të rinjtë, në zonën e quajtur Tregu Elektrik.
Rama ka thënë se më parë ky vend, sipas tij, ka qenë i rrënuar dhe i rrëmujshëm, kur në fakt sot është krejtësisht ndryshe.
“Këtu ka qenë një bërllok që quhej ‘Tregu Elektrik’, i mbushur me lloj-lloj frigoriferësh, lavatriçesh sipër, tharëse flokësh. Ky është një qytet që, kur unë u zgjodha kryetar bashkie, ndriçohej vetëm nga 78 llampa neoni në të gjithë pjesën e brendshme të Tiranës. Ishte i mbushur me ndërtime pa leje, rrëmujë, kioska – një tmerr. Sot është plot me turistë nga e gjithë bota. Tirana pret 1 milionë turistë. Na duhet të vazhdojmë ndërtimin e infrastrukturave të mëdha, ashtu siç kemi filluar.”-tha Rama.