
Një lajm i trishtë ka mbërritur mbrëmjen e sotme nga Italia: në moshën 79-vjeçare është ndarë nga jeta ish-portieri legjendar i Vllaznisë, Paulin Ndoja. Figura emblematike e futbollit shkodran dhe shqiptar, Ndoja do të kujtohet përherë për kontributin e jashtëzakonshëm që dha ndër vite, duke u kthyer në një simbol të portës dhe një shembull për brezat e rinj.
Klubi i Vllaznisë i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Ndoja për humbjen e njeriut të tyre të dashur, duke nënvizuar se ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet në ditët në vijim në Shkodër, qyteti që ai e deshi dhe i shërbeu me pasion të pashoq.