Vendosni fjalën kyçe....

Administrata Trump padit shtetin e Maine për lejimin e sportistëve transgjinorë në sportet e vajzave


Administrata e presidentit Donald Trump paditi të mërkurën shtetin e Maine, duke e akuzuar se nuk po respekton përpjekjet federale për të ndaluar pjesëmarrjen e sportistëve transgjinorë në garat e vajzave dhe grave, duke e përshkallëzuar kështu debatin nëse shteti po vepron në përputhje me ligjin federal që ndalon diskriminimin në arsim bazuar në seksin biologjik.

Padia vjen pas disa javësh përplasje midis administratës republikane dhe guvernatores demokrate të Maine, Janet Mills, përfshirë kërcënime për pezullim të fondeve federale për arsimin dhe një përballje të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë, ku Mills i tha Trumpit: “Do të shihemi në gjykatë.”

Në një konferencë për shtyp në Departamentin e Drejtësisë, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi, e cila udhëheq procesin gjyqësor, u shfaq së bashku me disa sportiste të reja që e mbështesin politikën e Trump. Ajo deklaroi se ky është një prioritet kryesor për presidentin.

“Kjo ka qenë një çështje madhore për të,” tha Bondi. “Është shumë e thjeshtë: vajzat luajnë në sportet e vajzave, djemtë në ato të djemve. Gratë në sportet e grave, burrat në ato të burrave.”

Bondi shtoi se edhe shtete të tjera si Minesota dhe Kalifornia mund të përballen me padi të ngjashme, përcjerell AP.

Trump e përdori çështjen e sportistëve transgjinorë si një pikë kryesore gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2024, duke u angazhuar për të ndaluar pjesëmarrjen e tyre në sportet që nuk përkojnë me seksin e tyre të lindjes.

Si president, ai ka nënshkruar urdhra ekzekutivë që përcaktojnë seksin vetëm në bazë biologjike, duke lënë jashtë konceptin e identitetit gjinor për qëllime federale.

Këto urdhra janë duke u kundërshtuar në gjykata nga grupe të të drejtave civile dhe nga disa shtete që refuzojnë zbatimin e tyre.

Padia ndaj Maine pritet të thellojë ndarjet politike mbi të drejtat e komunitetit LGBTQ+ në SHBA dhe të krijojë precedent ligjor për mënyrën se si interpretimi i ligjit federal për barazinë gjinore (Titulli IX) do të zbatohet në shkolla dhe sport.

Guvernatorja Mills nuk ka komentuar ende për padinë, por më herët ka mbrojtur qëndrimin e saj duke thënë se ligjet e Maine janë në përputhje me parimet e përfshirjes dhe barazisë.

Procesi gjyqësor do të ndiqet nga afër në mbarë vendin, ndërsa shtetet dhe institucionet arsimore përballen me dilema të mëdha mbi balancimin e të drejtave të barabarta dhe garancive për konkurrencë të drejtë në sport.