
Duke folur në Odesa, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi me forcë sulmin rus në Sumy, duke e quajtur atë “thjesht të tmerrshëm” dhe “pjesë e një modeli të frikshëm të sulmeve të Rusisë ndaj civilëve dhe infrastrukturës”.
Ai i siguroi presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s, sipas The Guardian.
Në një deklaratë të publikuar nga NATO në minutat e fundit, Rutte tha se “populli i Ukrainës meriton paqe të vërtetë – siguri dhe mbrojtje reale në vendin e tyre, në shtëpitë e tyre”, dhe theksoi se dëshironte ta përdorte këtë vizitë për të riafirmuar “këtë mesazh të thjeshtë: NATO qëndron përkrah Ukrainës.”
“E di që disa kanë vënë në pikëpyetje mbështetjen e NATO-s gjatë muajve të fundit. Por të mos ketë asnjë dyshim. Mbështetja jonë është e palëkundur,” tha ai.
Në deklaratën e tij, Rutte bëri të ditur se kishte biseduar me Zelenskyy-n për “bisedimet e rëndësishme që presidenti Trump po udhëheq me Ukrainën si edhe me Rusinë për të ndalur luftën dhe për të siguruar një paqe të qëndrueshme.”
Ai pranoi se “këto diskutime nuk janë të lehta – sidomos pas këtij dhunimi të tmerrshëm – por të gjithë e mbështesim përpjekjen e presidentit Trump për paqe.”
“Ndaj më lejoni të përsëris – për popullin e Ukrainës: Ne qëndrojmë me ju. Dhe mezi presim ditën kur burrat dhe gratë e guximshme të këtij vendi të jashtëzakonshëm do të mund të gëzojnë lirinë pa frikë,” përfundoi Rutte.