Vendosni fjalën kyçe....

“Ka diçka që nuk shkon, brenda shtatorit do zbulojmë shkakun e autizmit” – Sekretari amerikan i Shëndetësisë


Shtetet e Bashkuara synojnë të zbulojnë shkakun e autizmit deri në shtator, pasi u shmangën shkencëtarëve për dekada

Shtetet e Bashkuara do të identifikojnë shkakun e autizmit deri në shtator të këtij viti, tha të enjten Sekretari i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., duke vendosur një afat për një përgjigje që nuk është zgjidhur dot nga shkencëtarët për dekada, shkruan Reuters.

Diagnozat e autizmit në Shtetet e Bashkuara janë rritur ndjeshëm që nga viti 2000, duke intensifikuar shqetësimin e publikut. Deri në vitin 2020, shkalla e autizmit në SHBA tek 8-vjeçarët ishte 1 në 36, ose 2.77%, nga 2.27% në 2018 dhe 0.66% në 2000, sipas CDC-së.

“Nën drejtimin tuaj, ne do e dimë deri në shtator. Kemi nisur një përpjekje masive testimi dhe kërkimi që do të përfshijë qindra shkencëtarë nga e gjithë bota,” tha Kennedy në një takim të kabinetit të presidentit Trump.

Trump në shkurt urdhëroi krijimin e një komisioni “Make America Healthy Again” i përbërë nga Kennedy dhe sekretarë të tjerë për të shqyrtuar gjithçka, nga shkalla e autizmit dhe astmës tek fëmijët deri tek sasia e ilaçeve që u jepet fëijëve.

“Duhet të ketë diçka artificiale atje që po e bën këtë,” i tha Trump Kennedy-t në takim.

“Nuk do ketë konferencë më të madhe për shtyp se kur të dalësh me atë përgjigje.”

Shkencëtarët kanë hulumtuar për dekada se cilët faktorë gjenetikë ose mjedisorë mund të kontribuojnë në autizëm, por shkaqet e shumicës së rasteve mbeten të paqarta.