Vendosni fjalën kyçe....

Pandemia tjetër mund të godasë që “nesër”, duhet të jemi gati – OBSH


Një tjetër pandemi vdekjeprurëse mund të shfaqet që “nesër”, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke u bërë thirrje vendeve të botës që të përgatiten për të.

Në një deklaratë të hënën, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus u kërkoi qeverive të investojnë në sigurinë shëndetësore dhe të përmbyllin Marrëveshjen e Pandemisë, një traktat ndërkombëtar për parandalimin dhe reagimin ndaj pandemisë, shkruan Rt.

Përhapja globale e COVID-19, që filloi në fund të vitit 2019, çoi në rreth 20 milionë vdekje në mbarë botën dhe fshiu më shumë se 10 trilion dollarë nga ekonomia globale, sipas OBSH.

Një infektim i ri i ngjashëm “mund të ndodhë në 20 vjet ose më shumë, ose mund të ndodhë nesër. Por do ndodhë, dhe sido që të jetë, ne duhet të jemi gati,” tha Ghebreyesus, duke e përshkruar atë si “një siguri epidemiologjike” dhe jo “një rrezik teorik”.

Një pandemi mund të shkaktojë më shumë dëme sociale dhe ekonomike sesa një luftë, pohoi ai, ndërsa vuri në dukje se investimi i nevojshëm në sigurinë shëndetësore nuk është “asgjë” në krahasim me atë që qeveritë shpenzojnë për mbrojtjen.

“Të gjitha vendet duhet të gjejnë një ekuilibër në mbrojtjen e njerëzve të tyre nga bombat po edhe nga insektet,” tha ai.

Të martën, SHBA-ja propozoi një buxhet rekord të mbrojtjes prej 1 trilion dollarësh. Në mars, Bashkimi Evropian njoftoi një plan për të mobilizuar deri në 800 miliardë euro për të militarizuar bllokun, duke përmendur një kërcënim të perceptuar nga Rusia.

Ndërsa Marrëveshja e Pandemisë që po diskutohet në OBSH nuk specifikon shumat e sakta që qeveritë pritet të ndajnë, ajo synon të përmirësojë gatishmërinë globale dhe reagimin ndaj kërcënimeve të ardhshme.