
Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe rreth 40 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas mbytjes së një varke pranë ishullit italian të Lampeduzës.
Aksidenti ndodhi të martën pasdite, kur një gomone e gjysmë e mbytur u pikas nga patrullat e policisë italiane pranë ishullit të vogël Lampione.
Roja bregdetare arriti të shpëtonte 10 persona, ndërsa operacionet e kërkimit për të mbijetuarit rifilluan në orët e para të së mërkurës, sipas The Guardian.
Sipas raportimeve të mediave italiane, të mbijetuarit thanë se në bord ndodheshin rreth 56 persona, të cilët ishin nisur nga qyteti tunizian i Sfaxit. Ata treguan se varka u gjend në vështirësi për shkak të motit të keq dhe shumë pasagjerë ranë në det.
Trupat e gjashtë viktimave u transportuan në Lampedusa, ndërsa gjashtë burra dhe katër gra nga të mbijetuarit u dërguan në një qendër pritjeje në ishull.
Drejtori i degës italiane të organizatës bamirëse Caritas, At Marco Pagniello, e cilësoi këtë tragjedi si një pasqyrim të dështimit për të ofruar një të ardhme më të sigurt për ata që kërkojnë një jetë më të denjë.
“Vdekjet në Mesdhe të atyre që nisen në kërkim të një të ardhmeje më të mirë tregojnë paaftësinë tonë për të ndërtuar një perspektivë që ofron shpresë dhe horizonte jete,” tha ai.
“Në ditët kur dhuna e pamëshirshme e luftërave po mbizotëron mbi mundësinë e paqes, kërkohet edhe më shumë nga të gjithë, veçanërisht nga ata që kanë mandatin të punojnë për të mirën e përbashkët.”
Ky incident ndodh në një kohë kur fluksi i emigrantëve drejt Italisë përmes Mesdheut është në rritje.
Vetëm në janar, 3,368 persona mbërritën në Itali, krahasuar me 2,258 të njëjtën periudhë të vitit 2024. Shumica e emigrantëve në fund të janarit ishin nisur nga Libia, një vend me të cilin Italia ka një marrëveshje të diskutueshme për kthimin e emigrantëve.
Rritja e numrit të mbërritjeve lidhet edhe me arrestimin në Itali të Osama Najim, një komandant libian i kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte, përfshirë keqtrajtimin e emigrantëve dhe refugjatëve në qendrat e paraburgimit në Libi.
Arrestimi dhe më pas deportimi i tij në Tripoli shkaktoi polemika të shumta në Itali.
Sipas Organizats Ndërkombëtare për Migracionin, të paktën 248 persona kanë humbur jetën ose janë zhdukur gjatë përpjekjes për të kaluar Mesdheun vetëm në janar dhe shkurt të këtij viti.
Në vitin 2024, kjo shifër arriti në rreth 2,300 viktima ose të zhdukur.