
Më 19 mars 2025, në orën 10:00, Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë një seancë publike për çështjen e sekuestrimit të pajisjeve elektronike të gazetarit Elton Qyno nga SPAK. Kjo çështje ka ngritur shqetësime serioze mbi lirinë e medias dhe mbrojtjen e burimeve gazetareske.
Pas seancave të mbajtura më 12 dhjetor 2024, 13 shkurt 2025 dhe 5 mars 2025, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të thërrasë një seancë publike të posaçme, duke konfirmuar rëndësinë e saj për të drejtat e gazetarëve dhe pavarësinë e medias. Ky rast nuk kufizohet vetëm tek një individ, por ngre një precedent të rëndësishëm mbi mbrojtjen e informatorëve dhe lirisë së shtypit.
SPAK ka sekuestruar pajisjet e gazetarit në dhjetor 2023 në mënyrë të diskutueshme, duke injoruar edhe një urdhër të Kombeve të Bashkuara që ndalonte inspektimin e tyre. Më tej, në dhjetor 2024, gjatë një seance në Gjykatën e Lartë, u zbulua se SPAK kishte kopjuar të gjitha të dhënat nga pajisjet e sekuestruara, duke ngritur shqetësime të mëdha për të drejtat e gazetarëve dhe të dhënat e tyre konfidenciale.
Qendra Respublica ka ftuar gazetarët dhe përfaqësuesit e medias që të marrin pjesë në seancën publike në mbrojtje të burimeve të gazetarve.

“Më 19 mars 2025, ora 10:00, Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë një seancë publike për një çështje me ndikim thelbësor mbi lirinë e medias: sekuestrimin nga SPAK të pajisjeve elektronike të gazetarit Elton Qyno.
Pas tre seancave të zhvilluara më 12 dhjetor 2024, 13 shkurt 2025 dhe 5 mars 2025, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që këtë herë të thërrasë një seancë publike të posaçme. Kjo dëshmon që çështja nuk mund të trajtohet si një aspekt teknik që prek vetëm një individ, por si një problem që cenon në mënyrë thelbësore lirinë e medias dhe mbrojtjen e burimeve gazetareske.
SPAK jo vetëm që ka sekuestruar pajisjet e gazetarit në dhjetor 2023 jashtë çdo standardi, por ka shpërfillur edhe urdhrin e OKB-së që ndalonte inspektimin e tyre. Për më tepër, në dhjetor 2024, në sallën e Gjykatës së Lartë, u zbulua se SPAK kishte kopjuar të gjitha të dhënat nga pajisjet e gazetarit, duke krijuar një precedent tejet të rrezikshëm për të drejtat e gazetarëve dhe median e pavarur.
Prandaj, ftojmë të gjithë gazetarët, përfaqësuesit e medias dhe qytetarët që i vlerësojnë liritë demokratike, të jenë të pranishëm në seancën publike të 19 marsit.
Pa mbrojtje burimesh, nuk ka gazetari të lirë. Pa gazetari të lirë, nuk ka demokraci!”-shkruan Respublica.