Vendosni fjalën kyçe....

Fondet e investimeve alternative u rritën për të tretin vit radhazi


Fondet e investimeve alternative u rritën për të tretin vit radhazi në 2024. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të vitit të kaluar, totali i aktiveve të fondeve të investimeve alternative arriti në 6.2 miliardë lekë, në rritje me 24.7% krahasuar me një vit më parë.

Asetet e këtyre fondeve përbëjnë më shumë se 10% të totalit të aseteve neto të tregut të fondeve të investimeve në vend. Në fund të vitit 2024, fondi më i madh ishte Sea Land Investment Fund kishte aktive totale për afërsisht 3.5 miliardë lekë, në rritje me 15% krahasuar me një vit më parë.

Fondi tjetër, Green View Alternative Investment Fund, zotëronte aktive totale për më shumë se 2.7 miliardë lekë, në rritje me 38.2% krahasuar me vitin 2023. Vitin e kaluar nisi aktivitetin edhe fondi i tretë i investimeve alternative, Credins Optimal, që në fund të vitit kishte një vlerë aktivesh neto prej 28 milionë lekësh.

Rritja e vlerës së aseteve të fondeve të investimeve alternative është nxitur ndjeshëm nga rritja e vlerës së pasurive të paluajtshme. Fondet e investimeve alternative deri tani kanë investuar kryesisht në pasuri të paluajtshme, në pjesën më të madhe në zonën pranë Aeroportit të ri të Vlorës. Rritja e vlerës së pronave ka dhënë efekt pozitiv në totalin e aseteve të këtyre fondeve.

Ligji i ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, që hyri në fuqi në qershor 2020, krijoi bazën ligjore edhe për fondet e investimeve alternative, fonde ku mund të investojnë vetëm investitorë profesionistë dhe të kualifikuar. Sipas ligjit, klientë profesionistë klasifikohen subjektet e licencuara për të ushtruar veprimtari në tregjet financiare, si bankat, firmat e investimeve, shoqëritë e sigurimeve, sipërmarrjet e investimeve kolektive, fondet e pensionit vullnetar dhe shoqëritë administruese të këtyre sipërmarrjeve, etj.

Gjithashtu, si investitorë profesionistë njihen edhe ndërmarrjet e mëdha që përmbushin të paktën dy nga kriteret, e të pasurit aktive totale të paktën 2.6 miliardë lekë, xhiro neto është të paktën 5.2 miliardë lekë dhe kapitale të veta të paktën 260 milionë lekë. Investitorë profesionistë përkufizohen edhe njësitë e qeverisjes qendrore dhe rajonale, organet publike që administrojnë borxhin publik, bankat qendrore, institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve dhe organizata të tjera të ngjashme ndërkombëtare.

Fondet e investimeve alternative mund të kenë formën e sipërmarrjeve me pjesëmarrje të mbyllur me formë të shoqërisë tregtare ose formë kontraktore (fondet e investimeve) të cilat janë të përshtatshme për të bërë investime jolikuide, të tilla siç janë pasuritë e paluajtshme.

Aktualisht, në Shqipëri janë të licencuara tre fonde të investimeve alternative, që administrohen nga shoqëria administruese Credins Invest.

Ndërkohë, segmenti më i rëndësishëm i tregut të fondeve të investimit, ai i fondeve të hapura investojnë në instrumente financiare, në 2024 u rrit për të dytin vit radhazi.

Sipas statistikave të AMF-së, asetete neto të këtyre fondeve (përjashtuar fondet e investimeve alternative) arritën vlerën e 55.4 miliardë lekëve, në rritje me 21.8% krahasuar me një vit më parë. Numri i anëtarëve në fonde arriti në 37 786, në rritje me 17.4% krahasuar me fundin e vitit 2023. 

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.