
Ekipi norvegjez i kërcimeve me ski mashtroi qëllimisht duke përdorur kostume të manipuluara në Kampionatin Botëror të Skive Nordike, ku dy nga konkurrentët e tyre u skualifikuan gjatë garës të së shtunës, tha të dielën Federata Norvegjeze e Skive.
Marius Lindvik dhe Johann Andre Forfang u skualifikuan nga gara e meshkujve në kodër, ndërsa Joergen Graabak u skualifikua gjithashtu nga gara e ekipit Nordic Combined të së premtes, shkruan Reuters.
“Verifikimi ka gjetur se të premten, ata zgjodhën të vendosnin një fije të përforcuar në kostumet e Forfang dhe Lindvik,” tha në një konferencë shtypi menaxheri i përgjithshëm i Federatës së Skive Norvegjike Jan-Erik Aalbu.
Lindvik kishte përfunduar i dyti, por iu mohua medalja e argjendtë pas skualifikimit të tij pas një kontrolli të pajisjeve, së bashku me bashkatdhetarin Forfang që kishte përfunduar i katërti.
Lindvik më herët kishte fituar medaljen e artë në garën normale në kodër dhe ishte gjithashtu pjesë e ekipit që fitoi garën në kodër të lartë ndërsa femrat norvegjeze fituan garën në kodër normale. Aalbu tha se mashtrimi i tyre lidhej vetëm me garën e së shtunës.