
BE-ja ka shprehur mbështetjen e saj për planin e arabëve për rindërtimin e Gazës, i cili do të kushtojë 53 miliardë dollarë dhe do të shmangë zhvendosjen e palestinezëve nga territori, përcjell BBC.
Plani, i hartuar nga Egjipti dhe i miratuar nga liderët arabë, është refuzuar nga Izraeli dhe nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i cili paraqiti vizionin e tij për ta kthyer Rripin e Gazës në një “Rivierë të Lindjes së Mesme”.
Të shtunën, ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë mirëpritën planin, i cili parashikon rindërtimin e Gazës në pesë vjet, duke e quajtur atë “realist”.
Në një deklaratë, ata thanë se propozimi premtonte “përmirësimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të kushteve katastrofike të jetesës” për njerëzit e Gazës.
Plani parashikon që Gaza të drejtohet përkohësisht nga një komitet ekspertësh të pavarur dhe që të dërgohen trupa paqeruajtëse ndërkombëtare në territor.
Komiteti do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e ndihmës humanitare dhe do të menaxhojë përkohësisht çështjet e Gazës nën mbikëqyrjen e Autoritetit Palestinez.
Propozimi është një alternativë ndaj idesë së Trump për që SHBA të marrë kontrollin e Gazës dhe të rishpërndajë popullatën e saj.
Ai u mirëprit nga Autoriteti Palestinez dhe Hamas, pasi u paraqit nga Egjipti në një samit urgjent të Lidhjes Arabe të martën.
Por të dyja, Shtëpia e Bardhë dhe Ministria e Jashtme izraelite thanë se ai nuk e trajton realitetin në Gaza.
“Banorët nuk mund të jetojnë njerëzisht në një territor të mbuluar me mbeturina dhe municione të paplasura,” tha Brian Hughes, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Trump, të martën vonë.
“Presidenti Trump mbetet me vizionin e tij për ta rindërtuar Gazën pa Hamas,” shtoi deklarata.
Deklarata e katër vendeve evropiane të shtunën tha se ato janë “të angazhuara të punojnë me iniciativën arabe” dhe vlerësuan “mesazhin e rëndësishëm” që shtetet arabe kanë dërguar duke e zhvilluar atë.
Deklarata tha se Hamas “nuk duhet të drejtojë Gazën dhe as të jetë një kërcënim për Izraelin” dhe se katër shtetet “mbështesin rolin kyç të Autoritetit Palestinez dhe zbatimin e agjendës së tij të reformës”.
Propozimi u hartua në mes të shqetësimeve në rritje se marrëveshja e brishtë e armëpushimit në Gaza mund të shpërthejë pasi faza e parë gjashtëjavore të përfundojë më 1 mars.
Izraeli ka bllokuar hyrjen e ndihmave në territor për të ushtruar presion mbi Hamasin për të pranuar një propozim të ri nga SHBA për një zgjatje të përkohshme të armëpushimit, gjatë së cilës do të lirohen më shumë pengje të mbajtur në Gaza në këmbim të të burgosurve palestinezë.
Hamas ka insistuar që faza e dytë të fillojë ashtu siç është rënë dakord, duke çuar në përfundimin e luftës dhe një tërheqje të plotë të trupave izraelite.
Gati të gjithë 2.3 milionë banorët e Gazës kanë pasur nevojë të largohen nga shtëpitë e tyre që kur filluan luftimet, pas sulmit të Hamasit në tetor 2023 që vrau rreth 1,200 njerëz dhe çoi në marrjen e 251 të tjerëve peng.
Gaza ka pësuar shkatërrim të madh me një ndikim të madh humanitar. Më shumë se 48,000 palestinezë janë vrarë gjatë veprimeve ushtarake izraelite, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamas, dhe shumë infrastrukturë në të gjithë Rripin është shkatërruar nga sulmet ajrore.