
Pranë objekteve të Policisë së Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe atij të Qeverisë së Kosovës u hodh ngjyrë e tym i kuq nga Kolektivi “Marshojmë s’festojmë”, në marshin tradicional që shënon Ditën e Gruas, raporton Kosova Press.
Me moton kryesore “Marshojmë për njëra tjetrën”, pjesëmarrësit e këtij marshi u nisën nga sheshi “Zahir Pajaziti”, ndërkohë që fishkëllenin dhe brohorisnin duke kërkuar të drejtat e grave.
Në disa pjesë të rrugës e objekte vendosën mbishkrime të ngjyrosura në të cilat shkruan “çikat po i dhunojnë, të revoltohemi”.
Para hyrjes së objektit të Policisë së Kosovës qëndruan policë në afërsi, të cilëve u hodh tym i kuq, derisa marshuesit dëgjoheshin duke thënë “Poshtë polica partriarkale, policia i ka duart me gjakun e grave të vrara”.
Pasi përfunduan marshin pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, u kërkua drejtësi për gratë e dhunuara, për integritetin, sigurinë, dhe mirëqenien e të gjitha grave në punë, shkolla, shtëpi, e rrugë.
Alba Ajdarevikj nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, tha se ky marsh bënë thirrje për t’i bërë ballë të vërtetës, ngase sipas saj, dinjiteti i grave në Kosovë nuk ka qenë e as nuk do të jenë primare nën sistemin patriarkal e kapitalist.
Ajdarevikj kërkoi që ky 8 mars, të jetë për solidaritetin, jetën, përkujdesjen, e revoltën për njëra tjetrën.
Ajo thirri për marsh kundër varfërisë së grave e drejtësi për gratë e komuniteteve jo shumicë.
“Sot le të zotohemi që të kultivojmë aleancë. Të marshojmë kundër varfërisë së grave. Drejtësi për gratë rome, ashkalike, e egjiptiane ashtu siç ato e përcaktojnë. Për gratë trans e queer në shumëllojshmërinë e tyre. Për gratë muslimane që bartin besimin e tyre dukshëm. Marshojmë kundër kolonializmit, gjenocidit e luftës. Le të kultivojmë një kulture të përkujdeset e llogaridhënies me njëra-tjetrën, sepse dhuna nuk ushtrohet vetëm nga shteti! Ky 8 mars, le të jetë për solidaritetin, jetën, përkujdesjen, e revoltën për njëra tjetrën e një bote të lirë. Një çarje feministe kundër patriarkatit, kapitalizmit, e fashizmit”, tha Ajdarevikj.
Në marshin e sotëm përmes një zmadhuesi të zërit u përmendën emrat e grave të vrara viteve të fundit nga familjarët e tyre.
Gjithashtu, u kërkua drejtësi për gratë palestineze, derisa u lëshua këngë për Palestinën dhe në mesin e trumës valëviteshin dy flamuj të këtij shteti.
“Nata s’ka ispat për gratë”, “Punët e shtëpisë nuk janë të grave”, “Drejtësia e vonuar është padrejtësi”, janë ndër shkrimet e vendosura në pankartat që gratë dhe burrat mbanin në duar gjatë këtij marshi.