
Komisioni Evropian ka publikuar mbrëmjen e sotme deklaratën e presidentes së komisionit Ursula von der Leyen, mbi planin ReArm prej 800 miliardë euro të Bashkimit Evropian. Von der Leyen ka folur për cënimin e sigurisë në Evropë dhe gatishmërinë për të dalë në mbështetje të Ukrainës dhe në mbrojtje të sigurisë ndërkombëtare. Ndër të tjera, ajo ka përshkruar planin e riarmatosjes me pikat kryesore të tij.
Deklarata e plotë:
Ne po jetojmë në kohët më të rëndësishme dhe më të rrezikshme. Nuk ka nevojë të përshkruaj natyrën e rëndë të kërcënimeve me të cilat përballemi. Apo pasojat shkatërruese që do të duhet të përballojmë nëse këto kërcënime bëhen realitet. Sepse çështja nuk është më nëse siguria e Europës është realisht e kërcënuar. Apo nëse Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj. E vërteta është se ne i kemi ditur prej kohësh përgjigjet për këto pyetje. Pyetja e vërtetë që kemi përpara është nëse Europa është e përgatitur të veprojë aq vendosmërisht sa e kërkon situata. Dhe nëse Europa është e gatshme dhe e aftë të veprojë me shpejtësinë dhe ambicien e nevojshme. Në takimet e ndryshme javët e fundit – më së fundmi dy ditë më parë në Londër – përgjigja nga kryeqytetet europiane ka qenë njëzëri dhe e qartë: Ne jemi në një epokë të rirarmatosjes. Dhe Europa është e gatshme të rrisë në mënyrë masive shpenzimet e saj për mbrojtjen. Si për t’iu përgjigjur urgjencës afatshkurtër për të vepruar dhe për të mbështetur Ukrainën, ashtu edhe për të adresuar nevojën afatgjatë për të marrë shumë më tepër përgjegjësi për sigurinë tonë europiane.
Pikërisht për këtë arsye, sot i kam dërguar një letër liderëve përpara Këshillit Europian të së enjtes. Kjo është arsyeja pse jemi sot këtu së bashku. Dhe në këtë letër për liderët, kam përshkruar Planin “ReArm Europe”. Ky grup propozimesh fokusohet në përdorimin e të gjitha mjeteve financiare që kemi në dispozicion – me qëllim që t’i ndihmojmë Shtetet Anëtare të rrisin shpejt dhe ndjeshëm shpenzimet për aftësitë mbrojtëse. Me urgjencë tani, por edhe gjatë kësaj dekade. Ky plan përbëhet nga pesë pjesë.
Pjesa e parë e planit “ReArm Europe” është lirimi i përdorimit të financimeve publike për mbrojtjen në nivel kombëtar. Shtetet Anëtare janë të gatshme të investojnë më shumë në sigurinë e tyre nëse kanë hapësirë fiskale. Dhe ne duhet t’ua mundësojmë këtë. Prandaj, së shpejti do të propozojmë aktivizimin e klauzolës kombëtare të shpëtimit në Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes. Kjo do t’u lejojë Shteteve Anëtare të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre për mbrojtjen pa aktivizuar Procedurën e Deficitit të Tepërt. Për shembull: Nëse Shtetet Anëtare do të rrisnin shpenzimet e tyre për mbrojtjen me mesatarisht 1.5% të PBB-së, kjo mund të krijojë një hapësirë fiskale prej afro 650 miliardë eurosh në një periudhë prej katër vjetësh.
Propozimi i dytë do të jetë një instrument i ri. Ai do të ofrojë 150 miliardë euro kredi për Shtetet Anëtare për investime në mbrojtje. Kjo ka të bëjë kryesisht me shpenzime më të mençura – dhe me shpenzime të përbashkëta. Po flasim për fusha të aftësive pan-europiane. Për shembull: mbrojtja ajrore dhe raketore, sistemet e artilerisë, raketat dhe municionet, dronët dhe sistemet kundër-dronëve; por gjithashtu edhe për nevoja të tjera, si mbrojtja kibernetike apo lëvizshmëria ushtarake. Ky instrument do t’i ndihmojë Shtetet Anëtare të bashkojnë kërkesat dhe të blejnë së bashku. Natyrisht, me këtë pajisje, Shtetet Anëtare mund të rrisin ndjeshëm mbështetjen e tyre për Ukrainën. Pra, pajisje ushtarake të menjëhershme për Ukrainën. Kjo qasje e prokurimit të përbashkët do të ulë kostot, do të zvogëlojë fragmentimin, do të rrisë ndërveprueshmërinë dhe do të forcojë bazën tonë industriale të mbrojtjes. Dhe, siç përmenda, kjo mund të jetë në dobi të Ukrainës. Kjo është çasti i Europës dhe ne duhet t’i përgjigjemi siç duhet.
Pika e tretë ka të bëjë me përdorimin e fuqisë së buxhetit të BE-së. Ka shumë gjëra që mund të bëjmë në këtë fushë në afatin e shkurtër për të drejtuar më shumë fonde drejt investimeve të lidhura me mbrojtjen. Prandaj mund të njoftoj se do të propozojmë mundësi dhe stimuj shtesë për Shtetet Anëtare, nëse ato vendosin të përdorin programet e politikës së kohezionit për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.
Dy fushat e fundit të veprimit kanë në fokus mobilizimin e kapitalit privat, duke përshpejtuar Bashkimin e Kursimeve dhe Investimeve dhe përmes Bankës Evropiane të Investimeve.
Për ta përmbyllur: Europa është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësitë e saj. Plani “ReArm Europe” mund të mobilizojë afro 800 miliardë euro për një Europë të sigurt dhe të qëndrueshme. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë në NATO. Ky është momenti i Europës. Dhe ne jemi të gatshëm të ecim përpara.