Vendosni fjalën kyçe....

ILD-ja kërkon uljen e pagës me 40% për një vit e largimin si kryeprokuror i Sarandës të Kledian Llahos


Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar uljen e pagës me 40% për një vit dhe largimin nga detyra e kryetarit të prokurorisë së Sarandës për prokurorin Kledian Llaho.

Sipas ILD-së, pas hetimit disiplinor rezulton se Llaho ka kryer shkelje të përsëritura të rregullave e sjelljes me magjistratë të tjerë dhe nuk ka përmbushur si duhet detyrën e ngarkuar nga ligji.

Njoftimi

“Mbi kërkesën për procedim disiplinor me masën “Ulje page në masën 40% për 1 vit” dhe “Largimi nga detyra e kryetarit”, për prokurorin K.Ll.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor ndaj magjistratit K.Ll., në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bazuar në 6 ankesa të një magjistrateje, për shkeljet disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1 shkronja “c” dhe shkronja “l” si dhe neni 102 pika 2, shkronja “dh”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë rezulton se:

• Veprimet e mosveprimet e drejtuesit K.Ll., përbëjnë mospërmbushje, në cilësinë e drejtuesit, të detyrimeve të përcaktuara në ligj, në vecanti e detyrave që lidhen me sistemin e menaxhimit të çështjeve, në referim të nenit 102 pika 1 shkronja “l” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

• Prokurori ka shkelje të përsëritura të rregullave të solemnitetit, rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me magjistratët e tjerë, në referim të nenit neni 102 pika 2 shkronja “dh”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

• Shkelja disiplinore është kryer me dashje direkte dhe ndikimi negativ i saj mund të shtrihet në zyrën e prokurorisë në tërësi, duke përbërë rrezik për përsëritje ngjarjesh, që ulin imazhin e zyrës së prokurorisë,

• Magjistrati nuk ka masë të mëparshme disiplinore dhe ka vlerësime profesionale pozitive.Raporti i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë konkludon se sjellja dhe veprimet e magjistratit K.Ll., përbëjnë “Shkelje të rëndë disiplinore” dhe i propozon KLP-së:

1- Caktimin e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës në masën 40% për një periudhë 1 vjeçare” për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1 shkronja “l” si dhe neni 102 pika 2, shkronja “dh”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.2- Propozimin e masës disiplinore plotësuese “Largimi nga detyra e kryetarit”, të parashikuar nga neni 112, pika 2, shkronja “b” e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1 shkronja “l” si dhe neni 102 pika 2, shkronja “dh”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.: