
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani duke komentuar polemikat mes Erion Veliajt dhe prokurorit Olsi Dado në sallën e gjyqit e ka cilësuar raportin me ngarkesa persona që sipas tij duhet të sqarohen institucionalisht.
Sipas Manjanit, në mënyrë që të mbrohet procesi do ishte mirë që Dado të tërhiqej nga çështja.
Madje për të, Altin Dumani duhet të ndërhyjë për të mbrojtur çështjen e cila ka interes publik dhe ta merrte një prokuror tjetër.
Manjani vuri theksin te leja e ndërtimit që është përfolur se prokurori Dado ka kërkuar në Bashkinë e Tiranës. Sipas tij duhet hetuar ky episod që të shihet si ai ka dalë nga procesi, nëse ka pasur mllef apo jo.
Komentet Ylli Manjani i bëri gjatë një komunikimi direkt në emisionin “Now” në Euronews.
Pjesë nga biseda:
Së pari, unë nuk jam për të bërë gjyqin e Ols Dados e askujt tjetër, aq më tepër që përsonalisht Altin Dumanin e njoh dhe e konsideroj si një nga prokurorët më të mirë që kemi sot në sistem. Është i pakompromis ka mendimet e tija, është i kritikueshëm por jo prokuror pa dinjitet. Ashtu siç edhe Erion Bani futet në gjyqtarët e mirë që kemi sot në sistem. Është një gjyqtar që shkruan pak gjatë për hir të së vërtetës por është një gjyqtar që ja vlen ta kemi në sistem. Duhet t’i them këto konsiderata sepse jo gjithmonë është ashtu siç duket. Ols Dadon nuk e njoh por duhet t’ju them këtë gjë: nga i gjithë ky komunikim, nuk është fjala vetëm te një proces verbal apo te një seancë gjyqësore. Por nga gjithë ky komunikim duket qartë që ka një ngarkesë personale në lidhje me këtë çështje dhe kjo nuk është halli që të shpëtojmë Ols Dadon apo të mbrojmë Veliajn apo anasjelltas. Këtu është fjala që në të gjithë botën edhe sikur dyshimi të lindi që ky njeriu të sulmon personalisht atëherë drejtësia normale fillon edhe merr masa. Prandaj janë shpikur rregullat e etikës prandaj janë shpikur rregullat e deantalogjisë, kjo ndodh në çdo profesion. Unë mendoj që SPAK-u, së pari Ols Dado nuk duhet të ishte i interesuar të ishte pjesë e këtij procesi, thashë nuk e njoh personalisht por në kushtet që nëse diskutojmë në kushtet e etikës e deantologjisë duhet të kishte ndodhur kështu.
Tani e vërteta është që unë audion e kam dëgjuar tani vonë. Kam dëgjuar që ka fjalë mërmëritëse jashtë mikrofonit. Tani duhet të kuptoni që edhe procesverbali, sepse edhe nuk zbardhen. Duhet të kuptoni, sekretaria gjyqësore kur e zbardh audion zbardh vetëm fjalën që kap mikrofoni të atij që i është dhënë leja, atë që kap mikrofoni parësor, fjalët në backstage nuk zbardhen në asnjë rast edhe sikur të thuhen fjalë kriminale nuk zbardhen, që të kuptoni dallimin midis audios dhe asaj të shkruar.
Nga ana tjetër, mjafton edhe ajo që është shkruar “s’ke turp”, çfarë domenthënë, s’ke turp?! Jo, s’ka turp sepse ai prandaj është në burg mos ketë turp. Turp duhet të ketë zyrtari i shtetit, zyrtari publik, nuk përmendet fjala turp se nuk është gjykatë morale aty.
Pra ti e quan legjitime këtë fjalimin që përdor Veliaj kundrejt prokurorit?
Asgjë nuk është legjitime, unë nuk mendoj që Erion Veliaj fiton me këtë gjë që bën, unë jam totalisht skeptik. Po të ma dëgjojë këtë këshillë unë do t’i sugjeroja krejt të kundërtën. Pra po, ballafaqim gjyqësor pa fund por kurrën e kurrës ballafaqim publik sepse në fund të ditës prokurori është ai që të bën gjëmën në kuptimin e interesit dhe në kuptimin e asaj çfarë duhet t’i të zhvillosh në një sallë gjyqi. Kjo të ka rënë për hise. Erion Veliaj nuk besoj se ka debat me publikun. Aq më tepër që ka një opinion publik që ka ndezur zjarr tashmë. Nuk e di çfarë do fitojë me këtë gjë. Kjo është temë që i takon Erion Veliajt, avokatëve të tij edhe strategjisë së tij të mbrojtjes. Unë flas për interesin e publikut tani dhe jo të turmës.
Për interesin publik duhet të interesojë e vërteta dhe n.q.s punonjësi publik që është prokurori demonstron ngarkesë personale mbi çështjen nuk është për atë punë. Do ta ndihmonte çështjen realisht do ta ndihmonte të vërtetën që këtë çështje ta merrte një prokuror tjetër. Sigurisht nuk mund ta mbajë i vetëm Altin Dumani.
Manjani, pra ti thua edhe me kaq sa ne kemi parë me një prokuror që thotë s’ke turp kujt i tregon banesën tij ka një ngarkesë emocionale të tij?
Patjetër, një ngarkesë personale më shumë sesa emocionale sepse është edhe episodi që duhet sqaruar, episodi i lejes së ndërtimit. Të cilin e gëzoftë sepse prokurori duhet ta gëzojë si gjithë të tjerët por mos ndoshta ka dalë i mllefosur nga ai proces? Mos ndoshta ka një ngarkesë personale? Kërkon një investigim kjo gjë dhe këtë e bëjnë institucionet nuk e bëjnë mediat.
Mund ta ketë Ols Dado këtë ngarkesë, po Altin Dumani që është pjesë e këtij hetimi?
Ndaj dhe unë i sugjerova miqësisht Altin Dumanit në atë status që mirë do ishte të kishte një qëndrim. Altin Dumani përveçse është prokuror është edhe drejtues. Pra drejtuesi ka një përgjegjësi në këto raste. Pra në këtë moment unë them për të mirën e çështjes, leje çfarë pretendon Erion Veliaj. Unë e kuptoj që kur flasin burgaxhinjtë në këtë vend quhen burgjaxhinj dhe nuk kanë as të drejtë fjale sepse turmat në këtë vend të heqin të drejtën e fjalës, të heqin të drejtën e komentin kërkojnë dhe hesap, këta moralixhinjtë e mëdhenj. E lejmë këtë diskutim.
Unë po them që procesi duhet të jetë sa më i mbrojtur që të jetë e mundur nga ngarkesat personale dhe ngarkesat personale nuk ndihmojnë procesin. E përkeqësojnë procesin. Përkundrazi i japin ndoshta edhe një farë “lavdie”, qoftë edhe përkohshme ndaj atij që ka llogari për të dhënë. Ndoshta Erion Veliaj ka edhe llogari për të dhënë dhe ky është thelbi i çështjes. Nuk mund të merremi tani, të shpërqëndrohet e gjithë vëmendja te ky element. Ka ngarkesë personale apo s’ka ngarkesë personale. Janë dy episode që askush nuk po i sqaron, leja e ndërtimit si ka dalë nga ai proces ky zotëria? Ka dalë i ngarkuar, ka mllef personal?