
Policia spanjolle ka shkatërruar një rrjet të trafikut njerëzor që joshi më shumë se 1000 gra në vend gjatë vitit të kaluar me oferta false për punë përpara se t’i detyronte ato të prostituonin, tha policia të dielën.
Grave, të cilat ishin kryesisht nga Venezuela dhe Kolumbia, iu tha se do punonin në sektorët e bukurisë ose pastrimit, tha në një deklaratë Policia Kombëtare e Spanjës.
“Me të mbërritur në Spanjë ato u transferuan në klube ku u shfrytëzuan seksualisht dhe u detyruan të punonin”, tha policia.
Gratë lejoheshin të dilnin vetëm për dy orë në ditë dhe mbaheshin nën vëzhgim me video.
Tre drejtues të dyshuar të rrjetit – dy gra kolumbiane dhe një spanjolle – ishin mes 48 të dyshuarve të arrestuar në bastisjet në Alicante dhe Murcia, në Spanjën juglindore, dhe tre klube striptizmi u mbyllën si pjesë e operacionit.
Policia sekuestroi gjithashtu më shumë se 150,000 euro, bllokoi llogaritë bankare që përmbanin 938,000 euro dhe sekuestroi 17 prona.
Gjashtë nga të dyshuarit janë mbajtur në paraburgim, tha policia. Të tjerët u liruan me kusht për t’u përballur me gjyqin në një datë të mëvonshme, shkruan Reuters.