Vendosni fjalën kyçe....

U përfshinë në sherrin e dhunshëm, AMP merr masa ndaj dy vëllezërve policë në Dibër


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar dhe proceduar tre punonjës policie në Kukës, Dibër dhe Fier për vepra të ndryshme penale.

Në Dibër, është ndaluar efektivi Avni Uka, patrullë pranë Komisariatit të Policisë Dibër, i dyshuar për shpërdorim detyre.

Vëllai i tij, Sulltan Uka, patrullë pranë Komisariatit të Policisë Mat, është proceduar në gjendje të lirë për “Prishje të qetësisë publike” dhe “Vetëgjyqësi”. Të dy dyshohet se janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm në Burrel.

Ndërkohë, në Fier është arrestuar efektivi Vladimir Dushku, Specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili u përfshi në një aksident automobilistik. Pas testimit, ai rezultoi me nivel alkooli 0.60 mg/l.

NJOFTIMI:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Rajoni Kukës-Dibër, ka ndaluar punonjësin e policisë Avni Uka, me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Dibër, i dyshuar për shpërdorim detyre.

Ndërkohë, punonjësi tjetër i policisë Sulltan Uka, patrullë pranë Komisariatit të Policisë Mat, është proceduar në gjendje të lirë për veprat penale “Prishje e qetësisë publike” dhe “Vetëgjyqësi”.

Hetimet kanë zbuluar se dy efektivët, të cilët janë vëllezër, janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm me shtetasin Avni Uka në qytetin e Burrelit. Përplasja, e nisur për motive të dobëta, ka degjeneruar në veprime të rrezikshme për shëndetin e të përfshirëve.

AMP po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të marrë masat e nevojshme ligjore ndaj të dyshuarve.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier – Berat) ka arrestuar në flagrancë një punonjësin e policie, të identifikuar si Vladimir Dushku, me detyrë Specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

AMP njofton e arrestimi i tij  u krye pasi rreth orës 17:30 të datës14.02.2025, duke drejtuar automjetin e tij është përfshirë në aksident automobilistik me një automjet tjetër, duke i shkaktuar dëme materiale.

Nga verifikimi me testin matës të alkoolit ai ka rezultuar pozitiv në masën 0.60 mg/l.