Vendosni fjalën kyçe....

Rusia përjashton lëshime territoriale ndaj Ukrainës në prag të bisedimeve me ekipin e Trump


Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov të hënën përjashtoi mundësinë e lëshimeve territoriale ndaj Ukrainës, duke shfaqur një qëndrim të ashpër në prag të bisedimeve të martën me ekipin e Presidentit të SHBA-ve Trump në Arabinë Saudite.

Trump tha pas një telefonate me presidentin rus Putin të mërkurën se dy palët do fillonin bisedimet që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë, shkruan Reuters.

Kremlini tha se Lavrov dhe Yuri Ushakov, një këshilltar për politikën e jashtme të Kremlinit, i cili ka qenë gjithashtu ambasador në Uashington, do takohen të martën në Arabinë Saudite me zyrtarë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.

Lavrov tha se nuk do flitet për lëshime territoriale ndaj Ukrainës, rreth 20% e së cilës kontrollohet nga forcat ruse.

“Lëshime territoriale ndaj asaj që tani quhet Ukraina u bënë nga udhëheqja sovjetike gjatë formimit të Bashkimit Sovjetik,” tha Lavrov përpara se të përbuzte një ofertë ukrainase për të bërë një marrëveshje sigurie me SHBA-të duke i dhëë kësaj të fundit mineralet e vendit.

Reuters raportoi në nëntor se Putin ishte gati të negocionte një marrëveshje me Trump, por do kundërshtonte të bënte lëshime të mëdha territoriale dhe do të këmbëngulte që Kievi të braktiste ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n.