
Kosova feston sot 17-vjetorin e Pavarësisë. Përvjetori pritet të shoqërohet me shumë veprimtari.
Krerët e shtetit do ngrenë fillimisht flamurin shtetëror e më pas do bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova e ai i veprimtarit Adem Demaçi dhe në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt të vitit 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të vitit 2008 ku merrnin pjesë 107 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën Shtet të Pavarur, Sovran dhe Demokratik.
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 107 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Prishtinës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.
Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99).
Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK dhe Institucionet Vetëqeverisëse të Kosoves: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.
Leximi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës është bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në prani të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dhe Presidentit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë, më 17 shkurt të vitit 2008. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan votimin.
Kjo është Deklarata solemne e Pavarësisë që u lexua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në prani të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dhe Presidentit të Kosovës:
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.”
