
Zyrtarët e sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar kanë kërkuar që Apple të lërë një derë të pasme që i lejon ata të fusin në dorë të gjithë përmbajtjen që çdo përdorues i Apple në mbarë botën ka ngarkuar në cloud, thanë njerëz të njohur me këtë çështje për Washington Post.
Urdhri i pazbuluar i qeverisë britanike, i lëshuar muajin e kaluar, kërkon aftësi të përgjithshme për të parë materiale plotësisht të koduara, jo thjesht ndihmë për të thyer një llogari specifike dhe nuk ka precedent të njohur në demokracitë e mëdha. Aplikimi i tij do shënonte një humbje të rëndësishme për kompanitë e teknologjisë në betejën e tyre prej dekadash për të shmangur përdorimin si mjet qeveritar kundër klientëve, thanë njerëzit, duke folur në kushte anonimiteti duke qenë se bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme juridikisht dhe politikisht.
Në vend që të thyejë premtimet e sigurisë që u bëri përdoruesve të saj kudo nëpër botë, Apple ka të ngjarë të ndalojë ofrimin e ruajtjes së koduar të të dhënave në Britani, thanë njerëzit. Megjithatë, ky koncesion nuk do plotësonte kërkesën e Mbretërisë së Bashkuar për qasje në të dhënat përmes derës së pasme në vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Zyra e Sekretarit të Brendshëm i ka dorëzuar Apple një dokument mbi aftësitë teknike, duke e urdhëruar atë të sigurojë qasje në të dhënat sipas Aktit të Fuqive Hetuese të Mbretërisë së Bashkuar të vitit 2016, i cili autorizon forcat e zbatimit të ligjit të detyrojë kompanitë të vënë në disopozicion të dhëna kur nevojitet për të mbledhur prova, thanë burimet.
Ligji, i njohur nga kritikët si Karta Snoopers, e bën vepër penale zbulimin se qeveria ka bërë një kërkesë të tillë. Një zëdhënës i Apple nuk pranoi të komentojë.
Apple mund të apelojë kërkesën në Mbretërinë e Bashkuar tek një panel teknik sekret, i cili do shqyrtojë argumentet në lidhje me kërkesën edhe te një gjyqtar që do vlerësonte nëse kërkesa ishte në proporcion me nevojat e qeverisë. Por ligji nuk e lejon Apple të vonojë përmbushjen e apelit.
Në mars, kur kompania u njoftua se një kërkesë e tillë mund të vinte, ajo i tha Parlamentit: “Nuk ka asnjë arsye pse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të ketë autoritetin për të vendosur për qytetarët e botës nëse ata mund të përfitojnë nga përfitimet e provuara të sigurisë që rrjedhin nga kriptimi.”
Zyra e Brendshme tha të enjten se politika e saj nuk ishte të diskutonte ndonjë kërkesë teknike.
“Ne nuk komentojmë për çështje operacionale, duke përfshirë për shembull konfirmimin ose mohimin e ekzistencës së ndonjë njoftimi të tillë,” tha një zëdhënës.
Zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare në administratën e Biden e kishin ndjekur çështjen që kur Mbretëria e Bashkuar i tha fillimisht kompanisë se mund të kërkonte qasje dhe Apple tha se do e hidhte poshtë. Nuk mund të përcaktohet nëse ata ngritën kundërshtime ndaj Britanisë. Shtëpia e Bardhë e Trump dhe zyrtarët e inteligjencës kundërshtuan të komentojnë.

Një nga njerëzit e informuar mbi gjendjen, një këshilltar që këshillon Shtetet e Bashkuara për çështjet e kriptimit, tha se Apple do ndalohej të paralajmëronte përdoruesit e saj se kriptimi i tij më i avancuar nuk ofron më siguri të plotë. Personi e konsideroi tronditëse që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po kërkonte ndihmën e Apple për të spiunuar përdoruesit jo-britanë pa dijeninë e qeverive të tyre. Një ish-këshilltar sigurie i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi ekzistencën e urdhrit britanik.
Çështja është ruajtja në cloud që vetëm përdoruesi, jo Apple, mund ta zhbllokojë. Apple filloi të përdorë opsionin, të cilin e quan mbrojtja e avancuar e të dhënave, në vitin 2022. Ajo kishte kërkuar ta ofronte atë disa vite më parë, por u tërhoq pas kundërshtimeve nga FBI gjatë mandatit të parë të Presidentit Donald Trump, i cili sulmoi kompaninë se nuk ndihmoi në arrestimin e “vrasësve, tregtarëve të drogës dhe elementëve të tjerë të dhunshëm kriminalë”. Shërbimi është një opsion sigurie i disponueshëm për përdoruesit e Apple në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë.
Ndërsa shumica e përdoruesve të kompjuterëve iPhone dhe Mac nuk i kalojnë hapat e duhur për ta aktivizuar atë, shërbimi ofron mbrojtje të zgjeruar nga hakerimi dhe mbyll një metodë rutinë që përdor policia për të hyrë te fotot, mesazhet dhe materiale të tjera. Ruajtja e iCloud dhe kopjet rezervë janë objektiva të përdorura për urdhrat e kërkimit në SHBA, të cilat mund të shërbehen te Apple pa e ditur përdoruesi.
Teknologë, disa oficerë të inteligjencës dhe mbështetës politikë të enkriptimit reaguan ashpër ndaj njoftimit pasi ai u zbulua.
Senatori demokrat Ron Wyden, një demokrat në Komitetin e Inteligjencës së Senatit, tha se ishte e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të largonin Britaninë: “Lejimi i Trump dhe kompanive amerikane të teknologjisë që lejojnë qeveritë e huaja të spiunojnë fshehurazi amerikanët do ishte e pandërgjegjshme dhe një fatkeqësi e madhe për privatësinë e amerikanëve dhe sigurinë tonë kombëtare.”
Meredith Whittaker, presidente e aplikacioni të koduar Signal, tha: “Përdorimi i mjeteve të Aftësisë Teknike për të dobësuar enkriptimin në gjithë globin është një lëvizje tronditëse që do ta pozicionojë Mbretërinë e Bashkuar si një vendi të përjashtuar për sa i përket teknologjisë, në vend të një udhëheqësi teknologjik. Nëse zbatohet, direktiva do krijojë një cenueshmëri të rrezikshme të sigurisë kibernetike në sistemin nervor të ekonomisë sonë globale.”
Autoritetet e zbatimit të ligjit në mbarë botën janë ankuar për rritjen e përdorimit të enkriptimit në mënyrat e komunikimit përtej trafikut të thjeshtë telefonik, i cili në Shtetet e Bashkuara mund të mbikëqyret me lejen e një gjykate.
Mbretëria e Bashkuar dhe FBI në veçanti kanë thënë se kriptimi i lejon terroristët dhe abuzuesit e fëmijëve të fshihen më lehtë. Kompanitë e teknologjisë janë tërhequr, duke theksuar të drejtën për privatësi në komunikimin personal dhe duke argumentuar se lënia e dyerve të pasme për autoritetet shpesh shfrytëzohen nga kriminelët dhe mund të përdoren nga regjimet autoritare.
Shumica e komunikimeve elektronike janë të koduara deri në një farë mase ndërsa kalon nëpër sisteme në pronësi private përpara se të arrijë destinacionin. Zakonisht ndërmjetës të tillë si ofruesit e postës elektronike dhe kompanitë e qasjes në internet mund të marrin tekstin e thjeshtë nëse kërkon policia.
Por një numër në rritje i kompanive të teknologjisë janë të koduara, që do të thotë se asnjë ndërmjetës nuk ka qasje në çelësat dixhitalë që do zhbllokonin përmbajtjen. Kjo përfshin mesazhet e Signal-it, të WhatsApp-it dhe Messenger-it të Meta-s dhe telefonatat iMessages dhe FaceTime të Apple. Shpesh, një përmbajtje e tillë humbet mbrojtjen e saj të kriptimit kur rezervohet për ruajtje në cloud-in kompjuterik. Megjithatë kjo nuk ndodh me opsionin e avancuar të mbrojtjes së të dhënave të Apple.
Apple e ka bërë privatësinë një pike të fortë shitjeje për telefonat e saj për vite me radhë, një qëndrim që u përmirësua në vitin 2016 kur luftoi me sukses një urdhër të SHBA-së për të zhbllokuar iPhone-in e një terroristi të vdekur në San Bernardino, Kaliforni.
Që atëherë, ajo ka kërkuar të bëjë kompromis, si për shembull duke zhvilluar një plan për të skanuar pajisjet e përdoruesve për materiale të paligjshme. Kjo nismë u anulua pas kritikave të ashpra nga avokatët e privatësisë dhe ekspertët e sigurisë, të cilët thanë se kjo do e kthente teknologjinë kundër klientëve në mënyra të paparashikueshme.

Google do ishte një objektiv më i madh për zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar, sepse i ka bërë kopjet rezervë për telefonat Android të koduar si parazgjedhje që nga viti 2018. Zëdhënësi i Google, Ed Fernandez nuk pranoi të thoshte nëse ndonjë qeveri kishte kërkuar një derë të pasme, por la të kuptohej se asnjë nuk ishte zbatuar.
“Google nuk mund të hyjë në të dhënat rezervë të koduara të Android, edhe me një urdhër ligjor,” tha ai.
Meta ofron gjithashtu kopje rezervë të koduar për WhatsApp. Një zëdhënës nuk pranoi të komentonte kërkesat e qeverisë, por vuri në dukje një deklaratë transparence në uebsajtin e saj duke thënë se nuk do lihej asnjë derë e pasme.
Nëse Britania e Madhe siguron qasje në të dhënat e koduara, vendet e tjera që kanë lejuar ruajtjen e koduar, si Kina, mund të nxiten të kërkojnë qasje të barabartë, duke bërë që Apple të tërheqë shërbimin.
Beteja mbi privatësinë e ruajtjes që përshkallëzohet në Britani nuk është krejtësisht e papritur. Në vitin 2022, zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar dënuan planet e Apple për të futur enkriptim të fortë.
“Kriptimi nuk mund të lejohet të pengojë përpjekjet për të kapur autorët e krimeve më të rënda,” tha një zëdhënës i qeverisë për gazetën Guardian, duke iu referuar në mënyrë specifike ligjeve të sigurisë së fëmijëve.
Pasi Home Office i dha Apple një draft të asaj që do të bëhej urdhër, kompania la të kuptohet për ligjvënësit dhe publikun se çfarë pritet.
Gjatë një debati në Parlament mbi ndryshimet në Aktin e Fuqive Hetuese, Apple paralajmëroi në mars se ligji i lejonte qeverisë të kërkonte dyer të pasme që mund të zbatoheshin në të gjithë botën.
“Këto dispozita mund të përdoren për të detyruar një kompani si Apple, e cila nuk do linte kurrë një derë të pasme në produktet e saj, që të tërhiqte publikisht veçoritë kritike të sigurisë nga tregu i Mbretërisë së Bashkuar, duke i privuar përdoruesit e Mbretërisë së Bashkuar nga këto mbrojtje”, thuhet në një parashtrim me shkrim.
Apple argumentoi atëherë se përdorimi i aktit kundër enkriptimit të avancuar do binte ndesh me një vendim të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që çdo ligj që u kërkon kompanive të prodhojnë komunikime të koduara “rrezikon të arrijë në një kërkesë që ofruesit e shërbimeve të tilla të dobësojnë mekanizmin e kriptimit për të gjithë përdoruesit” dhe shkel të drejtën evropiane për privatësi.
Në Shtetet e Bashkuara, dekada të tëra ankesash nga organet e zbatimit të ligjit në lidhje me enkriptimin janë anashkaluar kohët e fundit nga hakerimet masive nga agjentë të dyshuar të qeverisë kineze, të cilët kanë ndërhyrë në kompanitë më të mëdha të komunikimit dhe kanë dëgjuar telefonatat sipas dëshirës. Në një konferencë të përbashkët shtypi në dhjetor mbi rastin me drejtuesit e FBI-së, një zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare u bëri thirrje amerikanëve të mos mbështeten në shërbimin standard telefonik për privatësinë dhe të përdorin shërbime të koduara kur është e mundur.
Gjithashtu atë muaj, FBI, Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës u bashkuan në rekomandimin e dhjetëra hapave për të frenuar hakerimet e hakerëve kinezë, duke përfshirë: “Sigurohuni që trafiku të jetë i koduar në masën maksimale të mundshme”.
Zyrtarët në Kanada, Zelandën e Re dhe Australi miratuan rekomandimet. Ata në Mbretërinë e Bashkuar nuk e bënë këtë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani