
Stafi i USAID-it në mbarë botën do vendoset në pushim administrativ të premten dhe do urdhërohet të kthehet në SHBA, sipas një direktive të lëshuar të marten në mbrëmje.
“Që nga ora 23:59 të premten, i gjithë personeli i USAID-it me punësim direkt do vendoset në pushim administrativ globalisht, me përjashtim të personelit të caktuar që është përgjegjës për funksionet kritike të misionit, udhëheqjen kyçe dhe programet e përcaktuara posaçërisht”, thuhet në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të USAID-it, e cila është rikthyer sërish pasi u mbyll javën e kaluar.
Deklarata tha se po përgatit një plan për personelin e vendosur jashtë Shteteve të Bashkuara “sipas të cilit Agjencia do organizonte dhe paguante për udhëtimin e kthimit në Shtetet e Bashkuara brenda 30 ditëve” dhe do mbyllte “kontratat që nuk janë përcaktuar të jenë thelbësore”.
Një i punësuar direkt është një zyrtar qeveritar i punësuar drejtpërdrejt nga qeveria amerikane, në krahasim me kontraktorët, të cilët përbëjnë një pjesë të madhe të fuqisë punëtore të USAID-it. Shumë prej atyre kontraktorëve tashmë janë pushuar nga puna. Personeli thelbësor që pritet të vijojë punën do njoftohet të enjten pasdite.
Deklarata në faqen e internetit përfundon me: “Faleminderit për shërbimin tuaj.”
Direktiva vjen pasi administrata Trump ka filluar çmontimin e agjencisë dhe ka ngrirë pothuajse të gjithë ndihmën e huaj. Një ditë më parë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio njoftoi se do ishte administratori në detyrë i USAID-it, duke konfirmuar marrjen de-fakto të agjencisë humanitare nga Departamenti i Shtetit.
Ditët e fundit, dhjetëra zyrtarë të lartë të USAID-it janë lënë në pushim administrativ, mijëra kontraktorë janë pushuar nga puna dhe punonjësve iu është thënë këtë javë që të mos raportojnë në selinë e agjencisë në Uashington.
CNN raportoi më herët se punonjësit po merrnin emaile individuale të martën që i informonin se po liheshin pushim. Zyrtarë të shumtë ndanë me CNN njoftimin nga zëvendës administratori në detyrë, Peter Marocco.
“Do qëndroni në pushim administrativ me pagesë deri në një njoftim të dytë”, thuhet në njoftim.
“Gjatë periudhës që jeni në leje administrative, nuk duhet të hyni në ambientet e USAID-it, të hyni në sistemet e USAID-it ose të përpiqeni të përdorni pozicionin ose autoritetin tuaj me USAID-in në asnjë mënyrë pa lejen time paraprake ose lejen paraprake të një mbikëqyrësi në zinxhirin tuaj komandues,” thekson Marocco në letër.
Kur një gazetar i tha presidentit Trump të martën se dukej sikur ai” po e çmontonte agjencinë”, ai qeshi dhe tha: “Mesa duket kjo po ndodh “.
“Shikoni të gjitha mashtrimet që ai ka gjetur në USAID,” tha presidenti për Elon Musk, miliarderin e teknologjisë që drejton Departamentin e Efikasitetit Qeveritar.
“Duhet të jetë e korruptuar”, shtoi Trump.

Letra e Marocco-s të së martës udhëzoi punonjësit t’i dërgonin email një zyrtari të USAID-it me “informacionet e tyre personale të kontaktit, duke përfshirë numrin tuaj të telefonit, emailin dhe adresën e postës”, në mënyrë që ata të mund të mbeten të disponueshëm gjatë orarit të rregullt të punës. Një punonjës i USAID-it i tha CNN se ata dërguan email dhe morën një përgjigje, që thoshte se ishin lënë në pushim.
Të hënën, mijëra kontraktorë të shërbimeve personale dhe nëpunës civilë humbën qasjen në emailin dhe sistemet e USAID-it brenda natës.
Selitë e USAID-it dhe zyrat në zonën e Uashingtonit, DC, do mbeten të mbyllura gjatë pjesës së mbetur të javës, sipas një emaili dërguar stafit të martën dhe të parë nga CNN. Zyrat e mbyllura përfshijnë selinë në Uashington; një vendndodhje të dytë e aneksit të DC; një zyrë në Leesburg, Virxhinia; dhe një në Springfield, Virxhinia.
Ka disa përjashtime për personelin me funksione thelbësore të mirëmbajtjes në ndërtesa, thuhej në email. Email-i vuri në dukje se punonjësit ende “pritet të mbeten të disponueshëm gjatë orarit të rregullt të punës dhe operacioneve”.
Menjëherë pasi u betua muajin e kaluar, Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv gjithëpërfshirës duke ndërprerë të gjithë ndihmën e huaj për 90 ditë, duke çuar në konfuzion të gjerë, pushime nga puna dhe mbyllje të programeve.
USAID u themelua në vitin 1961 nën administrimin e Presidentit John F. Kennedy dhe është krahu humanitar i qeverisë amerikane. Ai shpërndan miliarda dollarë çdo vit në mbarë botën.
Musk ka udhëhequr përpjekjet e administratës Trump për të dobësuar USAID-in, duke e quajtur atë një “fole nepërkash të marksistëve të majtë radikalë që e urrejnë Amerikën” dhe duke e quajtur atë një “organizatë kriminale” që duhet “të ngordhë”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani



