
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe mbështetur nga Banka Botërore, organizoi konferencën ndërkombëtare “Reformimi i sistemit të pensioneve në Shqipëri”.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin Kryeministri Edi Rama, Ministri Gonxhja, Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF, Mimoza Kaçi, Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, dhe përfaqësues të lartë nga institucionet ndërkombëtare dhe autoritetet mbikëqyrëse financiare.
Në fjalën e saj, Mimoza Kaçi theksoi rëndësinë e pensioneve private, duke i cilësuar ato si mundësi të shkëlqyera për qytetarët për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme në pension.
Ajo foli gjithashtu për miratimin e ligjit të ri për fondet private të pensioneve në nëntor të vitit 2023, i cili ka sjellë reforma të rëndësishme, duke e afruar Shqipërinë me direktivën IORP II të Bashkimit Europian.
“Me miratimin e ligjit të ri për fondet private të pensioneve në nëntor të vitit 2023, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejtpërafrimit me direktivën IORP II të Bashkimit Europian. Ky legjislacion ka sjellë një sërë risish dhe avantazhesh në drejtim të inkurajimit të pjesëmarrjes në skemat private të pensioneve, ofrimit të më shumë mundësive të investimit, incentivave fiskale, përmirësimit të qeverisjes dhe forcimit të mbrojtjes së anëtarëve,” theksoi Kaçi.
Kaçi gjithashtu foli për implementimin e shtyllës së dytë të pensioneve, duke e cilësuar atë si një mundësi premtuese për të siguruar diversifikim të burimeve të të ardhurave për pensionistët dhe për të konsoliduar financat publike.
“Në gjykimin tim, implementimi i saj, që mbështetet në një qasje me llogari individuale të kursimeve të detyrueshme, ofron një perspektivë premtuese pasi është e dizenjuar me qëllim plotësimin e shtyllës së parë, duke siguruar diversifikim të burimeve të të ardhurave për pensionistët dhe financa publike më të konsoliduara”.