Vendosni fjalën kyçe....

Ferrari planifikon debutimin e makinës së parë elektrike


Ferrari po përgatit prezantimin historik të makinës së tij të parë plotësisht elektrike në tetor, tha të martën prodhuesi i makinave sportive luksoze, ndërsa synon një rritje prej të paktën 5% në të ardhurat dhe fitimet bazë këtë vit.

Duke thyer traditën e tij për motorët e zhurmshëm me benzinë, makina elektrike e shumëpritur e Ferrarit do shfaqet t më 9 tetor, në bazën e kompanisë në Maranello, Itali, tha shefi Benedetto Vigna.

Vigna nuk pranoi të jepte hollësi rreth modelit, përveçse tha se do prezantohej “në mënyrë unike dhe inovative”.

Makina elektrike do jetë një nga gjashtë modelet e reja që kompania planifikon të nxjerrë këtë vit, tha Vigna, duke shtuar se planet e saj nuk do ndikohen nga politikat e administratës Trump në Shtetet e Bashkuara ose nga rreziku i një lufte tregtare.

Ferrari filloi t’u ofronte klientëve të saj të pasur modele hibride në vitin 2019. Hibridet përbënin 51% të shitjeve të makinave të saj vitin e kaluar.

Kompania italiane të martën parashikoi se fitimet e saj do rriteshin në të paktën 2.68 miliardë euro në vitin 2025, nga 2.56 miliardë euro në vitin 2024.