
Kompanitë, konsumatorët dhe fermerët në mbarë Amerikën e Veriut po përgatiten për vendosjen e tarifave të reja nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj importeve nga Kanadaja dhe Meksika, një lëvizje që mund të tronditë tregtinë vjetore prej afro 1.6 trilionë dollarësh midis tre vendeve.
Trump ka vendosur afatin e së shtunës për vendosjen e tarifave ndëshkuese prej 25% mbi mallrat kanadeze dhe meksikane, duke kërkuar që të dy vendet të ndërmarrin hapa më të fortë për të ndalur fluksin e emigrantëve të paligjshëm dhe trafikimin e fentanilit – një opioid vdekjeprurës – drejt Shteteve të Bashkuara.
Njëkohësisht, Trump ka kërcënuar edhe me vendosjen e tarifave prej 10% ndaj importeve nga Kina, duke e akuzuar Pekinin për rolin e tij në këtë krizë, përcjell Reuters.
Industria dhe grupet e biznesit janë në ethe për të kuptuar sesi do të zbatohet ky vendim – nëse do të hyjë në fuqi menjëherë apo do të ketë një periudhë shtyrjeje për të lejuar negociata me Kanadanë dhe Meksikën.
Sipas precedentëve të mëparshëm, edhe nëse vendimi hyn në fuqi menjëherë, Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së do të duhet të presë dy deri në tre javë për të nisur mbledhjen e tarifave.
Trump ka deklaruar gjithashtu se po shqyrton nëse tarifat do të përfshijnë importet e naftës nga Kanadaja dhe Meksika – një sinjal se është i shqetësuar për ndikimin e tyre në çmimet e karburanteve në SHBA.
Nafta është produkti kryesor i importuar nga Kanadaja dhe një ndër pesë produktet kryesore nga Meksika, sipas të dhënave të Byrosë Amerikane të Statistikave të Tregtisë.
Sipas burimeve, Trump pritet të përdorë Aktin Ndërkombëtar të Kompetencave Ekonomike të Emergjencave (IEEPA) për të justifikuar vendosjen e tarifave, duke shpallur një emergjencë kombëtare për shkak të vdekjeve të shkaktuara nga fentanili dhe emigracioni i paligjshëm.
Ky akt, i miratuar në vitin 1977 dhe i ndryshuar pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, i jep presidentit fuqi të gjera për të vendosur sanksione ekonomike në raste krizash.
Zyrtarët e lartë të administratës kanë deklaruar se të ardhurat nga tarifat do të përdoren për të financuar zgjatjen e shkurtimit të taksave të miratuara nga Trump në vitin 2017, të cilat kapin vlerën e 4 trilionë dollarëve dhe skadojnë këtë vit.
Reagime nga Kanadaja, Meksika dhe bizneset
Ekonomistët dhe drejtuesit e bizneseve paralajmërojnë se tarifat mund të sjellin rritje të mëdha çmimesh për produkte si alumini dhe druri nga Kanadaja, frutat, perimet, birra dhe elektronika nga Meksika, si dhe automjetet nga të dy vendet.
“Tarifat e presidentit Trump do të taksojnë amerikanët të parët,” tha Matthew Holmes, kreu i politikave publike në Dhomën Kanadeze të Tregtisë.
“Nga çmimet më të larta në pikat e karburantit, tek rritja e kostove në dyqane ushqimore dhe blerjet online, tarifat godasin gjithë ekonominë dhe përfundojnë duke dëmtuar konsumatorët dhe bizneset në të dy anët e kufirit. Kjo është një situatë ku të gjithë humbin.”
Kanadaja ka përgatitur një listë hakmarrjeje me tarifa kundërprodukteve amerikane, përfshirë lëngun e portokallit nga Florida – shteti i Trump – dhe është e gatshme të vendosë masa mbi mallra që arrijnë deri në 150 miliardë dollarë amerikanë, por do të mbajë konsultime publike përpara se të veprojë.
Ndërkohë, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka paralajmëruar gjithashtu masa hakmarrëse, duke argumentuar se tarifat mund të rrezikojnë 400,000 vende pune në SHBA dhe të rrisin çmimet për konsumatorët amerikanë.
Megjithatë, ajo ka shprehur dyshime se Trump do ta zbatojë realisht këtë masë, duke deklaruar: “Nuk besojmë se do të ndodhë, sinqerisht.”
Reagimi i Kinës dhe mundësia e shtyrjes
Zyrtarët kinezë kanë reaguar me kujdes ndaj kërcënimeve të Trump për tarifa shtesë, duke theksuar bashkëpunimin e tyre me SHBA-në për ndalimin e trafikimit të fentanilit.
“Shpresojmë që SHBA të mos e marrë si të mirëqenë vullnetin e mirë të Kinës,” tha Liu Pengyu, zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington.
Sipas një burimi të industrisë tregtare, ka një mundësi të madhe që Trump të shpallë tarifat, por t’i pezullojë përkohësisht për të krijuar hapësirë për negociata.
Megjithatë, ai mund të ndjejë nevojën për të treguar vendosmëri duke ndërmarrë veprime konkrete.
Me afatin e së shtunës që po afrohet, tregjet dhe bizneset po qëndrojnë në gatishmëri për të parë nëse Trump do të qëndrojë në kërcënimet e tij apo do të hapë rrugën për negociata të mëtejshme.