Vendosni fjalën kyçe....

Trump: SHBA “në zi” pas përplasjes fatale mes avionit dhe helikopterit ushtarak në Washington DC


Presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA është “në zi” pas përplasjes së një avioni pasagjerësh dhe një helikopteri ushtarak pranë Aeroportit Kombëtar Ronald Reagan në Washington DC, ku nuk besohet të ketë të mbijetuar. 

Në një deklaratë për mediat, Trump tha se “zemrat tona janë të thyera” pas tragjedisë së mbrëmshme dhe se vendi po përjeton një humbje të madhe.  

Sipas zyrtarëve, deri më tani janë gjetur trupat e 28 viktimave, ndërsa në bordin e avionit të American Airlines ndodheshin 64 persona dhe në helikopterin ushtarak tre anëtarë të ekuipazhit, sipas BBC.

Presidenti Trump ngriti shqetësime lidhur me rregullat e diversitetit të vendosura nga paraardhësit e tij, duke sugjeruar se personat e punësuar në kontrollin e trafikut ajror mund të mos kenë qenë të kualifikuar për detyrën e tyre. Megjithatë, ai nuk dha asnjë provë për këtë pretendim. 

Një ndër çështjet kryesore që po hetohen është arsyeja pse helikopteri ndodhej në atë zonë në momentin e përplasjes. Trump gjithashtu ngriti pyetje se përse helikopteri nuk u ngjit më lart, nuk u ul më poshtë apo nuk manovroi për t’i shpëtuar përplasjes. 

Ndërkohë, një regjistrim audio i publikuar nga autoritetet zbulon momentin kur kontrollorët e trafikut ajror komunikojnë me ekuipazhin e helikopterit, duke i pyetur nëse ata mund ta shihnin avionin që po afrohej. 

Hetimet mbi shkaqet e aksidentit po vazhdojnë, ndërsa zyrtarët pritet të japin më shumë detaje në orët e ardhshme.